Alban Hyseni e Lëvizja Vetëvendosje i kanë plotësuar 100 ditët e para të qeverisjes. Opozita thotë se pushteti lokal nuk ka treguar asnjë rezultat konkret, madje disa prej tyre pretendojnë se kryetari i Gjilanit nuk e ka mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti. Të pakënaqur janë shprehur edhe disa qytetarë, e disa të tjerë kanë thënë se i duhet më shumë kohë
Opozita në Gjilan, të dielën, e ka kritikuar kryetarin e kësaj komune, Alban Hyseni, për siç thotë ajo, mosefikasitet në qeverisje përgjatë 100 ditëve të para në krye të Komunës së Gjilanit.
Hyseni ka arritur t’i fitojë zgjedhjet lokale në nëntorin e vitit të kaluar si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke e mposhtur kryetarin e atëhershëm të Komunës, Lutfi Hazirin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK).
E në LDK thonë se nuk është se kanë pritur ndonjë rezultat konkret nga Hyseni e LVV-ja.
Avdyl Aliu, shef i Grupit të këshilltareve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka thënë se befasi për të mirë nga LVV-ja në Gjilan nuk ka.
“Në rastin e përmbylljes së këtij 100-ditëshi, shihet që nuk ka ndodhur asgjë jashtë asaj që ne e kemi ditur dhe e kemi pritur që ka me ndodh, pra nuk ka ndonjë befasi për të mirë”, ka deklaruar ai.
LDK-ja në zgjedhjet lokale të tetorit 2021 ka arritur të fitojë 14 asamblistë, katër më shumë sesa VV-ja, e cila ka fituar në balotazh për kryetar.
“Nuk është turp që të kërkosh ndihmë, LDK-ja në Gjilan është parti fituese. Ne jemi përcaktuar me qenë parti opozitare, konstruktive dhe me ndihmu çdo situatë e moment që kërkohet”, tha ai.
Ndihmë për qeverisjen lokale kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Gjilani është një nga katër komunat ku partia në pushtetin qendror, qeveris.
Por, Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare Vatra, që në zgjedhjet e fundit ka fituar rreth 1 mijë vota, ka deklaruar se Alban Hyseni nuk e ka mbështetjen e ekzekutivit të drejtuar prej Albin Kurtit.
Sipas tij, Hyseni pas fitores në Gjilan ka shfaqur aspirata që t’ia marrë frontin në parti Kurtit.
“Nuk ka fare përkrahje, pasi kemi parë disa intervista të kryetarit të Komunës së Gjilanit, i cili menjëherë pasi fitoi Komunën e Gjilanit me gjasë ia mësyu t’ia zërë vendin kryeministrit Albin Kurti e këtë rast z. Kurti ka filluar t’i hakmerret”, ka pretenduar Kadriu. “Kemi parë që Kurti as nuk e ka vizituar Gjilanin e as nuk e ka takuar fare Alban Hysenin dhe as nuk e ka pritur kurrë në takim”.
Për asamblistin opozitar, Alban Hyseni është një nga kryetarët më të dobët që e ka pasur komuna ndonjëherë.
“Fatkeqësisht qytetari i Gjilanit nuk ka parë fare qeverisje, madje qytetarët e Gjilanit janë duke pyetur se a ka Gjilani kryetar komune pasi për mendimin tim, por edhe të shumë qytetarëve që po shprehin indinjatën, kryetari i Komunës së Gjilanit është një nga kryetarët më të dobët që ka pasur ndonjëherë Gjilani në performancën politike që ka bërë deri më tani”.
Megjithatë, ka prej qytetarëve që thonë se Hysenit i duhet dhënë kohë.
“Shpresoj që e tregon veten”, ka thënë Shaip Baftiu.
Krejt ndryshe mendon një tjetër qytetar me emrin Rexhep Xhaferi, i cili thotë se është penduar që e ka votuar Alban Hysenin.
“Me pas mundësi votën cilën ia kam jap, Alban Hysenit e tërheq”, tha ai.
Kryetari i Gjilanit, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se të hënën planifikojnë të takohen me bordin për të raportuar për 100-ditëshin e parë të qeverisjes lokale.
Para se të bëhej kryetar, Hyseni ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Shefi i tij në parti, Albin Kurti, me sloganin “Bashkë qeverisim”, kishte premtuar mbështetje për kryetarët e komunave që vijnë nga LVV-ja.
Pos Gjilanit, LVV-ja ka triumfuar edhe në Podujevë, Kamenicë e Shtime, por e humbi Prizrenin dhe nuk arriti ta kthente Prishtinën.