Arbëri

Opozita akuzon Qeverinë për kapje dhe shkatërrim të shtetit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Foto: Alban Bujari

(Përditësuar - 13:30) Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se nëpërmjet projektligjeve për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Ligjit për Zyrtarë Publikë, Qeveria po tenton të godasë demokracinë, të shkaktojë dëme afatgjate dhe të shkatërrohet shteti.

 

Ai ka shkruar të enjten në Facebook se pushteti po i godet institucionet e pavarura kushtetuese po administratën shtetërore “duke krijuar pasiguri juridike”.

 

Sipas Tahirit, për KPK-në, po synohet që me përbërjen e re të këtij institucioni të ketë ndikim direkt nga ana e Qeverisë. Ai ka shtuar se qëllimi është vendimmarrja dhe ndikimi politik të ndodhë nëpërmjet anëtarëve, e jo prokurorëve.

 

“2. Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM): - Me projektligj ndryshon procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së, duke ia mundësuar VV-së kapjen e institucionit për gati 10 vjet dhe t'i shkarkojë lehtësisht, nëse nuk i binden partisë. - Mediat online po tenton t'i regjistrojë, që të mund t'i dënojë me pare, kur nuk iu pëlqen ndonjë media, dhe kështu  t'i mbyllë. - 3. Ligji ka shpik definicione që nuk ekzistojnë (BE-ja ka thënë kështu). 3. Ligji për Zyrtarët Publikë: - 1 mijë e 600 pozita udhëheqëse në Administratën Shtetërore më këtë ligj u rrezikohet siguria juridike. – D.m.th ky ligj, në vend se të bëjë një reformë, e kthen prapa, ose me saktë, e shkatërron administratën tonë shtetërore. - Propozimi i këtij ligji është në kundërshtim me një aktgjykim, që tashmë e ka marrë Gjykata Kushtetuese, është një moment i ri dhe negativ në praktikën e ligjbërjes në Kosovë. - Politizimi dhe ndikimi partiak po shndërrohet në normë që pastaj vështirë se do të mundet të përmirësohet. - Kjo duhet të ndalet, me këto tri Ligje vdes demokracia dhe shteti i së drejtës”, ka thënë ai.

 

Për këtë çështje të enjten ka mbajtur konferencë për media Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

 

Deputeti i kësaj partie, Driton Selmanaj, është shprehur se LDK-ja s’mund të bëhet pjesë e një agjende “e cila është në shpërputhje të plotë me standardet e BE-së”.

 

“Përpjekja për kapje tashmë është shprehur edhe qartë. Vlerësojmë se këto ligje janë kundër kushtetuese. Veprimi i radhës do të jetë që ne të detyrohemi t’i dërgojmë përsëri në Gjykatën Kushtetuese për të ruajtur rendin publik. Ne nuk mund të bëhemi pjesë të asnjë procesi vendimmarrës ku votohet kundër rendit kushtetues. Ne kemi marrë vesh që qe katër pesë ditë kanë filluar punimet në sallë, se për tri javë ditë salla nuk është prekur fare dhe ne nuk kemi mbajtur asnjë seancë. E sot na dërguan në një alternative, uroj të jetë koincidencë e jo e sinkronizuar që edhe Lista Serbe nëse nuk do te merrte pjesë në seancë do te humbte mandatin”, u shpreh Selmanaj.


Tahiri: Kjo qeveri po tenton t’i kapë mediat, gjyqësorin dhe administratën publike

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka akuzuar Qeverinë se përmes Kuvendit po tenton të ushtrojë kontroll autoritar dhe t’i kapi mediat, gjyqësorin dhe administratën publike.

Në një shkrim në Facebook të enjten, Tahiri ka thënë se s’kanë mundur të qëndrojnë në seancë gjatë ditës së sotme pasi po tentohej të kaloheshin tri projektligje “që rrezikojnë lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe sigurinë juridike të zyrtarëve publikë”.

“Ne nuk mund të bëhemi palë të kësaj qeverie që, përmes Kuvendit të Kosovës, orvatet të ushtrojë kontroll autoritar, t'i frikësojë dhe t'i kap mediat, gjyqësorin dhe administratën publike”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Për këto tri projektligje pati kritika edhe nga Bashkimi Evropian. BE-ja ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e tyre.

Opozita lëshoi seancën e sotme të Kuvendit pasi nuk kaluan propozimet për tërheqje nga rendi i ditës i tri projektligjeve.