Arbëri

Opozita akuzon pushtetin se po themelon ndërmarrje për punësimin e militantëve të LDK-së

Komuna e Lipjanit ka planifikuar për seancën e radhës së Kuvendit Komunal të iniciojë procedurat për themelimin e një ndërmarrjeje të re publike “Ulpiana”, e cila do të jetë shoqëri aksionare në pronësi të Komunës.

Mirëpo themelimi i kësaj ndërmarrjeje po cilësohet i ngutshëm nga subjektet opozitare (PDK , LVV dhe AAK) me arsyetim se një pjesë e këtyre punëve janë të kontraktuara me kontrata kornizë për vitet e ardhshme. Opozita po e akuzon ekzekutivin e Komunës me arsyetim se themelimi i kësaj ndërmarrjeje po bëhet vetëm për punësime të familjarëve dhe militantëve politikë të qeverisjes së LDK-së në Lipjan.

Sipas propozim-vendimit të kryetarit të Komunës, të cilin e ka siguruar KOHA, midis të tjerash thuhet se “pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi kryetari i Komunës autorizon zyrtarët përgjegjës komunalë, të cilët në bashkëpunim me drejtorët kompetentë komunalë do të vazhdojnë procedurat për kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm”.

Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së në Lipjan, ka thënë se ndërmarrja e re publike në Lipjan po themelohet për konsum publik në këtë vit zgjedhor dhe për “vjeljen e xhepit” të qytetarëve në kohë të pandemisë.

“Gjatë periudhës së fundit kohore kryetari në ikje, me pretekstin se kinse po u shërben qytetarëve, ka iniciuar procedurë për themelimin e ndërmarrjes publike “Ulpiana”. Kjo po bëhet për t’i rehatuar disa familjarë e militantë që kanë mbetur jashtë sistemit të punësimit. Komuna pati lidhur kontratë kornizë me një kompani nga Podujeva, e cila për çdo muaj ua merr Komunës mbi 8 mijë euro”, ka thënë Rizani.

Ai ka kërkuar sqarim nga Komuna se çfarë do të ndodhë me kontratat kornizë, punët e të cilave tashmë janë planifikuar të kryhen nga ndërmarrja e re publike “Ulpiana”. “Çfarë do të ndodhë me tenderin prej 200 mijë eurosh për pastrimin e varrezave derisa në këtë tender kositja për një metër katror të mirëmbajtjes së barit i kushton Komunës 8 euro. Pastaj çfarë do të ndodhë me kontratën për mirëmbajtjen e shesheve, derisa në kuadër të saj është nënshkruar kontratë për largimin e kafshëve të ngordhura prej 1100 eurosh për një kafshë”, ka thënë Rizani.

Komuna e Lipjanit, sipas tij, është e njohur për dhënie të tenderëve mbi bazë të ngjyrimeve politike e familjare.

“Komuna duhet të japë sqarime se çfarë do të ndodhë me kompaninë “Pastrimi” në Lipjan që udhëhiqet nga njeriu i afërt me familjen e kryetarit Ahmeti. Duhet të tregojë kryetari se a është subvencionuar ky familjar gjatë këtyre ditëve. Po e njëjta kompani ka kontratë për mirëmbajtjen e tregjeve në Lipjan, andaj si do të shkëputen kaq shumë kontrata pas themelimit të ndërmarrjes së re publike. Ne mendojmë se këtu kemi të bëjmë me dëmtim të buxhetit publik dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e kryetarit të komunës”, ka sqaruar Rizani.

Valenton Amerllahu, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, ka thënë se propozimi i kryetarit të Komunës është vazhdimësi e vendimeve të cilat janë produkt i drejtpërdrejtë i kalkulimeve politike për t’i rehatuar disa familjarë e militantë politikë. “Nuk ka të bëjë asgjë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Lipjanit. Të gjithë e dimë se si për 20 vjet janë përdorur kompanitë publike për konkurse politike në mes partive në pushtet dhe bordet e tyre si mundësi për të rehatuar militantët politikë”, ka thënë Amerllahu. Sipas tij, ky propozim-vendim i kryetarit të Komunës është një kopje e “zbehtë” e veprimeve që partia që ai drejton së bashku me partitë e tjera që kanë bashkëqeverisur i kanë bërë për një kohë të gjatë.

“Ekzekutivi aktual në Lipjan po synon themelimin e një “çerdheje“ të re të punësimit të familjareve. Por duhet pasur parasysh se ne sigurisht jemi për t’u ofruar shërbime sa më cilësore qytetarëve por jo që ajo të bëhet në momente të cilat duken qartë se janë veprime politike në shërbim të një grupi të caktuar politik. Praktikat e tilla duhet të ndalen dhe të kemi një qeverisje komunale në shërbim të qytetarëve pa dallim”, ka shtuar ai.

I pakënaqur me propozim-vendimin e Komunës është shprehur kuvendari nga radhët e AAK-së, Ramiz Qeriqi.

“Sivjet pritet të kemi zgjedhje lokale dhe nuk e dimë pse kjo nguti e ekzekutivit për ta iniciuar një propozim-vendim për themelimin e kësaj ndërmarrjeje. Po ashtu ne po e shohim se disa kompani janë të kontraktuara për mirëmbajtje të parqeve, varrezave, ndriçimit publik etj., andaj çfarë do të ndodhë me këto kontrata dhe me çfarë logjike ua shkëputin ato kontrata”, ka kritikuar Qeriqi.

Në anën tjetër, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim komuna ka sqaruar se kanë të drejtë ligjore për krijimin e ndërmarrjes publike, sikur të gjitha komunat tjera të Republikës së Kosovës. Kjo komunë duke u bazuar në ligjet në fuqi për krijimin e ndërmarrjeve publike ka paraparë që në seancën e radhës të iniciojë procedura për krijimin e ndërmarrjes publike “Ulpiana” sh.a.

“Në këtë rast Komuna e Lipjanit vetëm fillon procedura për krijimin e ndërmarrjes publike, ndërsa kërkesa i bëhet njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike, në nivel qendror për procesim të mëtutjeshëm. Gjithashtu Komuna nuk menaxhon me ndërmarrjen publike dhe nuk është në kompetencë të Komunës të rekrutojë punëtorë – zyrtarë, por në kompetencat e vetë ndërmarrjes”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Ndërmarrja e re do të obligohet për kryerjen e dhjetëra shërbimeve publike si: mirëmbajtje të parqeve, ndriçimit, mirëmbajtjen e tregjeve, varrezave, mirëmbajtjen e rrjetit të ujërave atmosferike, transportimin e kafshëve të ngordhura, mirëmbajtjen e parkingjeve publike, mirëmbajtjen e objekteve banesore dhe ashensorëve. Pastaj dekorimin e qytetit në ditët e festave, menaxhimin e shërbimit me automerimangë etj.