Arbëri

Opozita akuzon Muhaxherin, thonë se subvencionoi një serb që është pjesë e strukturave paralele

Dy subjektet opozitare në Pejë, Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK kanë kritikuar kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, për një subvencion prej 2 mijë e 500 eurosh, që ia ka dhënë një qytetari serb të fshatit Gorazhdec për blerjen e pajisjeve për prodhimin e rakisë.

Sipas këtyre dy partive, përfituesi i donacionit është kryetari i organeve paralele komunale të Pejës në Gorazhdec, Milosh Dimitrijeviq.

“Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë e kundërshton një vendim për ti dhënë subvencione një anëtari të strukturave paralele të Serbisë. Ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk e kundërshtojmë dhënien e subvencioneve për komunitete të ndryshme, mirëpo jemi kundër dhënies së subvencioneve për kazana të rakisë për njerëz që cakërrojnë gotat me Ivica Daciqin”, ka thënë Besnik Zeqiraj, sekretar i degës së LVV-së në Pejë.

“Nuk jemi kundër ndarjes së subvencioneve për çdo komunitet në këtë rast edhe për komunitetin serb, por pse bash zotit Dimitrijeviq, që dihet çfarë funksioni ka në institucionet paralele të Serbisë dhe nuk mendoj që ka qenë shumë e nevojshme dhënia e kazanave të rakisë në këtë moment”, ka thënë Nazmi Krasniqi, këshilltar i AAK-së në Kuvendin Komunal të Pejës.

Ky subvencion, që është dhënë me vendim të kryetarit Muhaxheri, ka qenë rekomandim i drejtorit të Financave, Jeton Abazaj, sipas të cilit Komuna nuk ka arsye t’i ikë dhënies së subvencioneve qytetarëve edhe nëse janë pjesë e strukturave paralele.

“Ka qenë një kërkesë prej zotërisë në fjalë për një biznes më të cilin e mbanë familjen. Prapë zoti Dimitrijeviq është banor i Republikës së Kosovës dhe është subvencionuar si gjitha kërkesat tjera që kanë dëshmuar që munden me mbajt familjen dhe munden me prodhua një biznes të vogël familjar”, ka thënë Abazaj.

Vetë Dimitrijeviq ka mohuar të jetë kryetar i Komunës paralele të Pejës. Ai thotë se është vetëm përfaqësues legjitim i fshatit Gorazhdec i zgjedhur me vota.

“Unë si qytetar për familjen time kamë të drejtë të kërkojë e të marr sepse jam qytetar i Kosovës. E kam edhe letërnjoftimin e Kosovës. E dyta gjë, unë këtu nuk jam institucion paralel, si më kanë quajtur ata”, tha Dimitrijeviq.

Pas akuzave Dimitrijeviç ka thënë se po ndihet i sulmuar dhe për këtë do të ankohet në të gjitha ambasadat e huaja në Kosovë.