Ani se sivjet institucionet publike shëndetësore kanë më së shumti buxhet për barna, në spitale ka mungesë edhe të medikamenteve bazike. Ato po përballen edhe me mungesën e ampulës Fentanyl, një analgjetik opoid pa të cilin operacionet nuk mund të kryhen. E që intervenimet kirurgjike të mund të zhvillohen, SHSKUK-ja e ka siguruar një sasi të këtyre ampulave nga një kompani private farmaceutike, por të cilave u skadon të dielën afati
Operimet në sallat e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), janë duke u zhvilluar falë donacionit nga një kompani private farmaceutike, që e siguroi produktin esencial për kryerjen e tyre, analgjetikun opoid, Fentanyl.
Sipas burimeve të KOHËS, Qendra Klinike Universitare (QKUK) dhe spitalet regjionale tash e disa javë kanë mbetur pa këtë produkt, pa të cilin operimet nuk mund të kryhen, pasi shërben për ta pamundësuar ndjenjën e dhembjeve te pacientët.
Për këtë produkt, SHSKUK-ja ka kontratë aktive me kompaninë “Medimax”, por kompania që e ka fituar tenderin, prej rreth dy muajsh nuk e ka furnizuar institucionin.
Në SHSKUK kanë konfirmuar se barin nuk kanë arritur ta sigurojnë, siç parashihet në kontratë dhe se e kanë marrë si donacion nga një kompani private.
“Kompania ende nuk ka sjellë furnizimin sipas kontratës, por kemi konfirmim se javën e ardhshme do të sjellë furnizimin”, thuhet në një përgjigje të shkurtër të SHSKUK-së.
Burime të KOHËS thanë se ampula Fentanyl, si donacion, është shpërndarë në të paktën tri klinika javën e shkuar. E afati i përdorimit të tyre skadon këtë të diel.
Në SHSKUK nuk treguan se sa kanë afat ampulat.
“Kemi pranuar donacion nga kompania ‘Lirimed’, që kanë afat të mjaftueshëm për përdorim, sipas standardeve ndërkombëtare të lejueshme”, thuhet në përgjigje.
Tek bënë të ditur se urdhërblerja e fundit për kompaninë që e fitoi tenderin është bërë rreth 2 muaj më parë, në SHSKUK thanë që ende nuk janë përmbushur kushtet për ndërprerje të kontratës.
E për secilën kontratë, te pjesa e Kushteve të Përgjithshme, përcaktohen masat që duhen ndërmarrë po që se kompania nuk i sjell produktet në kohë.
“Nëse furnizuesi, me përgjegjësinë e tij, nuk arrin t’i dorëzojë ndonjë ose të gjitha mallrat ose të realizojë shërbimet brenda limiteve kohore të specifikuara në kontratë, autoriteti kontraktues, pa njoftim zyrtar dhe pa paragjykim ndaj kompensimeve të tjera të tij sipas kontratës, do të ketë të drejtë, për secilën ditë që kalon ndërmjet skadimit të periudhës së kontratës dhe datës aktuale të përfundimit, t’i marrë dëmet e likuiduara të barabarta me 0,25% në ditë të vlerës së furnizimeve të padorëzuara deri në një maksimum prej 10 % të vlerës totale të porosisë”, thuhet në kushtet e kontratës.
Pasi të arrihet vlera e penaltive deri në 10 për qind, SHSKUK-ja ka të drejtë të shkëpusë kontratë.
KOHA i adresoi pyetje edhe kompanisë “Medimax”, porse nuk mori përgjigje.
Sivjet, SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë kanë buxhetin më të madh ndonjëherë për blerjen barnave. Megjithëkëtë, në vazhdimësi janë bërë ankesa për mungesë të produkteve edhe më elementare.