Arbëri

Operatorit privat i hiqet mundësia që t’i grumbullojë mbeturinat në kryeqytet

Me skadimin e kontratës në fund të këtij viti, kompania e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës “Alko-Impex” nuk do të ketë më mundësi të bëjë grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë.

Ky është vendimi që u mor në mbledhjen e shtatë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci në emitonin 038, tha se shpreson që të mos konfirmohet ligjshmëria e këtij vendimi nga ministria e Pushtetit Lokal. Ai e ka quajtur këtë vendim “idiotizëm të rangut të lartë”.

“Të gjithë qytetarët e dinë në çfarë gjendje ka qenë qytetit para marsit të këtij viti kur kemi vendosur që të kontraktojmë operatorin ekonomik privat. E vetmja mundësi ka qenë të thirremi në këtë paragraf të kësaj rregulloreje. Me kërkesën e PDK-së edhe kjo është e pamundur për vitin e ardhshëm. Me skadimin e kontratës në fund të këtij viti, nëse nuk kontestohet, do të kemi vështirësi të madhe për mirëmbajtjen e qytetit”, tha Brestovci.

E gjithë kjo sipas tij po ndodh për inate politike e aspak për interesa të qytetarëve.

“Po ndodh diçka qëllimkeqe, diçka që dikush e ka penguar të arrihet një rezultat në kohë kaq të shkurtër, sepse të thuhet se në një periudhë më pak se 6 muaj është arritur një pastërti në qytet e kemi bërë edhe shumë punë të tjera dhe tani krejt ky rezultat bëhet pengesë për dikë dhe të merret një vendim i tillë që nesër do të pengojnë që Prishtina të jetë e pastër... Ka ndodhur diçka që nuk do e kisha imagjinuar që do të ndodhte, e gjithë kjo ndodhi për inate politike, për çështje të djallëzuar e asnjëherë për të përfaqësuar interesin e qytetarit”, shtoi Brestovci.

Sipas tij, periudha sa ka funksionuar operatori ekonomik privat do të mbahet mend nga qytetarët si një kohë e artë, një kohë kur qytetit ka qenë i pastër.

Kjo kompani ishte kontraktuar në maj për punën e pastrimit.