Arbëri

Operatorët ilegalë cilësohen sfidë kryesore për KPMM-në

Gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, kryesuesja e Bordit të Komisionit të Pavarur për Minerale dhe Miniera, Selvete Grajqevci-Pllana, ka prezantuar si sfidë kryesore operatorët ilegalë. Ajo ka bërë të ditur se edhe kompanitë e licencuara i shkelin rregullat, për çka dënohen me shuma qesharake nga gjykatat, ndërkaq vetë KPMM-ja nuk ua merr licencat. Në këtë mbledhje, gjatë së cilës ka pasur edhe polemikë mes deputetëve, është bërë e ditur se kompanitë ia kanë 34 milionë euro borxh KPMM-së

Operatorët ilegalë janë problemi kryesor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), ka thënë të martën kryesuesja e Bordit të këtij komisioni, Selvete Grajqevci-Pllana, gjatë raportimit që e kishte në Komisionin Parlamentar për Financa, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Ajo ka thënë se lufta ndaj operatorëve ilegalë është joefektive, pasi gjobat që i marrin ata, sipas saj, janë qesharake.

“Këto kompani shfrytëzojnë mineralet e Kosovës ilegalisht edhe dënimet që jepen prej gjykatave janë shumë qesharake 200 a 300 euro”, ka thënë Grajqevci-Pllana.

Më pas ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Armend Muja, i cili ka theksuar se kjo gjë duhet të ndalet.

“Kjo punë nuk shkon kështu, shkatërron natyrën dhe dënohet pak”, ka nënvizuar deputeti i ekzekutivit.

Por, drejtuesja e Bordit të KPMM-së ka kërkuar që institucionet të bashkohen, pasi përndryshe minierat e Kosovës do të jenë një arenë e lirë për operatorët ilegalë.

“Për ta bërë këtë ndalimin e operuesve ilegalë duhet krejt me funksionu: policia, gjykata edhe inspektorët e komunës dhe inspektorët e ambientit, gjithë bashkë”, ka shprehur kërkesën ajo.

Anëtarët e Bordit të KPMM-së, të cilët Kuvendi i ka zgjedhur më 6 dhjetor të vitit të shkuar, kanë potencuar se nuk janë problem vetëm operatorët ilegalë.

Problem janë edhe operatorët me licenca.

Grajqevci-Pllana ka përsëritur kritikën e saj për instancat e drejtësisë, të cilët njëjtë si me operatorët ilegalë të minierave veprojnë edhe ndaj atyre legalë – shkelës të ligjit.

“I kanë ftuar policinë, janë vonuar derisa kanë arritur. Kur janë ardhë janë sill shumë butë, hajt lëshoje se tjetër herë e rregullon”, ka thënë ajo.

E pyetur nga deputeti i LVV-së, Driton Hyseni, nëse dikujt i është marrë licenca, Grajqevci-Pllana është përgjigjur se një gjë e tillë ka ndodhur shumë rrallë.

Por, në theks e ka vënë mungesën e ndeshkueshmërisë për kompanitë ilegale dhe legale të minierave dhe mineraleve.

E, skeptik me punën e Bordit dhe me Ministrinë e Ekonomisë ishte anëtari i këtij komisioni, Ferat Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Por, nga prizmi i deputetit të VV-së, Driton Hyseni, deputeti i PDK-së, është i painformuar.

“Ju z. Kryetar, nëse nuk keni informacion nuk domethënë që mund të keni informacion përderisa procesi është duke marrë përmbajtjen e vet dhe derisa të bëhet publik nuk mund të konstatojmë që nuk është duke u bërë asgjë përderisa ju s’keni informacion”, ka qenë reagimi i deputetit Hyseni.

E menjëhershme ka qenë kundërpërgjigjja e deputetit Idrizi.

“Do të isha shumë i lumtur nëse ti ke informacion çfarë është duke bërë qeveria për këtë sektor”, ka thënë ai. “Në këtë sektor qeveria nuk ka asnjë rezultat, zero”.

Gjatë mbledhjes së këtij komisioni anëtarët e bordit kanë treguar për planet e tyre operative për minierat dhe mineralet. Ndërkaq shqetësim serioz i paraqitur në komision ishte borxhi prej 34 milionë eurosh që kompanitë, përfshirë edhe Trepçën, ia kanë KPMN-së.