Arbëri

Rexhepllar: Boshnjakët si shumicë në Bosnjë janë të diskriminuar, duhet Dejton i ri

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Kosovës, Adnan Rexhepllar, ka thënë se në Bosnjë-Hercegovinë boshnjakët janë të diskriminuar dhe se është vendosur një rregullim i gabuar me Marrëveshjen e Dejtonit. 

Rexhepllar ka thënë se duhet një Dejton i ri. 

“Regjistrimi i fundit ka treguar se 57 për qind janë boshnjakë, 29 për qind serbë e 13 për qind kroatë. E të gjithë duan të ndajnë pjesët e tortës në mënyrë të barabartë në zgjedhje. Gabimisht është vendosur rregullimi i Bosnjës. Do të ishte mirë të bëhej një Dejton më i mirë, për më të mirën e gjithë popujve”, ka thënë Rexhepllar në “Konfront” të KTV-së.


 


Ondozi: Republika Srpska nuk ka jetëgjatësi sepse është krijuar mbi një gjenocid

Sipas Qerim Ondozit, aktivist i shoqërisë civile, Republika Srpska nuk është jetëgjatë sepse është krijuar mbi një gjenocid.  

Ondozi ka thënë se mënyra si funksionon aktualisht Bosnja është “e frikshme”. Ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare nuk e lejon shkëputjen e paralajmëruar nga Milorad Dodiku.

“Edhe formimi i Republikës Srpska, po edhe ndarja potenciale për të cilën flet Dodiku, sipas meje, ka pak gjasa të ndodhë. Kjo do t’i thoshte bashkësisë ndërkombëtare dhe botës se një shtet krijohet duke bërë gjenocid. Nuk mundet bashkësia ndërkombëtare ta lejojë të formohet një entitet që është prodhim i gjenocidit. Republika Srpska nuk është shumë jetëgjatë sepse është e krijuar mbi një gjenocid”, ka thënë ai në Konfront.

Ondozi ka shtuar se rezoluta për Srebrenicën, nëse miratohet, e vulos vdekjen e Republika Srpskas.

“Mendoj se këtu është kundërshtimi i madh kundër rezolutë sepse kjo do ta vuloste se Republika Srpska është krijuar pas një gjenocidi që e kanë bërë komandantët serbë të mbështetur nga shteti i Serbisë. Kjo do ta vuloste vdekjen e Republika Srpskas dhe do t’i hapte rrugë një Bosnje më të qëndrueshme”.


Sopi: Rezoluta për Srebrenicën, tentim i ndërkombëtarëve për shpëlarje të ndërgjegjes

Analisti Agim Sopi ka thënë se rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë nuk është ndonjë punë e madhe, por vetëm tentim i ndërkombëtarëve për shpëlarje të ndërgjegjes.

Sipa Sopit, krimi në Srebrenicë ishte më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Nuk jam i sigurt nëse është ndonjë punë e madhe. Kjo rezolutë është më tepër një shenjë e shpëlarjes së ndërgjegjes të ndërkombëtarëve karshi krimit të ndodhur me paramendim. Krimi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, ndoshta më i madhi. Një krim i tillë ka ndodhur vetëm nga gjermanët kundër hebrenjve, sikurse Serbia kundër myslimanëve në Bosnje”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Sopi ka thënë se Serbia u inkurajua nga “letargjia e Perëndimit, veçanërisht shteteve evropiane”.


Rexhepllar: Serbia s'ka ku të ikë, do të ishte mirë ta mbështesë rezolutën për Srebrenicën

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Kosovës, Adnan Rexhepllar, ka thënë se Serbia s’mund t’i ikën të vërtetës dhe duhet ta mbështesë rezolutën për Srebrenicën. 

Në Kombet e Bashkuara ishte paraparë të votohej më 2 maj projektrezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, por ajo është shtyrë për më vonë këtë muaj. 

“Satisfaksioni më i madh sot do të ishte sikur Serbia të ishte autore ose bashkësponsorizuese e kësaj rezolute, siç janë 32 shtete tjera, e Serbia të ballafaqohej me gjithë ato që ka bërë. S’mund të ikë nga krimi. S’ka ka të ikë nga e vërteta”, ka thënë Rexhepllar në “Konfront” të KTV-së. 

Por, ai ka thënë se Serbia nuk do ta bëjë këtë, marrë parasysh angazhimin që po bën për të parandaluar rezolutën. 

“Shpresoj të mos ia dal e bota ta shoh të vërtetën me sy real dhe t’ia jap emrin e vërtetë kësaj”, tha Rexhepllar. 


Alija: Arsyeja pse erdhi deri te rezoluta për Srebrenicën ishte narrativa e Vuçiqit dhe e Dodikut

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se është papjekuri politike që të mos respektohen vendimet gjyqësore dhe faktet e vërtetuara, derisa i është referuar njohjes së gjenocidit në Srebrenicë.

Ai ka thënë se me miratimin e rezolutës për Srebrenicën që pritet të votohet në OKB në maj, do të sanksionohen mohuesit e gjenocidit dhe krimeve të luftës.  

Alija ka theksuar se hezitimi për votim “vjen nga sfera politike e liderëve të Serbisë apo Republika Srpskas, bashkë me aleatët e tyre që insistojnë të ndikojnë te moskalimi i rezolutës në OKB”.

“Edhe pse ky votim mund të jetë politik, po shohim vetëdijesim të shteteve demokratike dhe organizatave e figurave që kanë ndikim, janë në përkrahje të kësaj rezolute. Arsyeja pse erdhi deri te propozimi i një rezolute të tillë ishte narrativa e Vuciqit, Dodikut, që kohë pas kohe japin deklarata kërcënuese e destabilizuese. Dodiku shpesh kërcënon që në ditën e votimit do të marrim veprime”, ka thënë ai në Konfront të KTV-së.