Arbëri

OJQ-të kërkojnë që për të paraburgosurit të gjenden masa alternativa shkaku i pandemisë

Mbi 400 të paraburgosur janë duke qëndruar në qendrat e paraburgimit, kryesisht në ato të Prishtinës dhe Gjilanit.

Megjithatë, që nga 13 marsi, kur është paraqitur rasti i parë me koronavirus në vend, të gjithë të paraburgosurit izolohen për 14 ditë në dhoma të veçanta, transmeton KOHA.

Zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues, Rasim Selmani, ka thënë se që nga rasti i parë me Covid-19, janë vetëm 30 të paraburgosur të ri që po mbahen në qendra të paraburgimit.

Sipas tij, janë testuar vetëm të paraburgosurit në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka kërkuar nga sistemi gjyqësor në Kosovë, që duke shfrytëzuar dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës të aplikojë në numër të konsiderueshëm masat alternative e jo atë të paraburgimit.

Po ashtu, QKRMT-ja i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, duke propozuar inicimin e ndryshimeve ligjore në procedurë të përshpejtuar në mënyrë që të mundësohet lirimi i përkohshëm apo amnistia për të dënuarit në kohën e pandemisë.

Edhe KMDLNJ-ja ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin masa dhe t’i lirojnë përkohësisht të gjithë të burgosurit dhe të paraburgosurit që janë të sëmurë, nuk paraqesin rrezik të lartë apo edhe ata që janë në moshë të shtyrë.

Në Kosovë janë rreth 2 mijë persona që po vuajnë dënimin nëpër burgje të ndryshme. Kurse, në Shqipëri janë liruar përkohësisht mbi 600 të burgosur shkaku i pandemisë.