Arbëri

OEK-u dhe Dhoma e Tregtisë së Tiranës do të nisin fushatën “Blej Shqip”

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi priti sot në takim kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka. Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të bizneseve të rëndësishme nga sektorë të ndryshëm të Kosovës.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se do të nisë fushata afatgjate dhe gjithëpërfshirëse “Blej Shqip”, transmeton Koha.net.

Ky takim paraqet qëndrimin e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe lehtësimin e tregtimit të produkteve në mes të dy vendeve.

Rukiqi, bëri të ditur se njëra nga iniciativat e përmendura në këtë takim ishte organizmi i një kampanje afatgjate dhe gjithëpërfshirëse “Blej Shqip”, si dhe krijimin e një strukture të përbashkët që do të përmirësonte komunikimin në mes bizneseve të dy vendeve.

Në anën tjetër, Jaka theksoi se problemet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë të shumta por jo të pa zgjidhshme, prandaj së shpejti do të dalim me një platformë bashkëpunimi ku do të përfshihen kërkesat ndaj dy Qeverive të vendeve përkatëse.

Përpos kësaj, Jaka shtoi se mbështetja për Odën Ekonomike të Kosovës do të jetë maksimale.