Oda Amerikane dhe ajo ekonomike e Kosovës kanë kërkuar që sa më shpejt të bëhet rishikimi i buxhetit në mënyrë që të fillojë rimëkëmbja ekonomike.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, tha se rishikimi i buxhetit duhet të ndodhë më së largu në dy javët e ardhshme.
Kurse, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se nuk kanë besuar që faza emergjente dhe ajo për rimëkëmbje ekonomike në këtë kohë pandemie të pengohet nga partitë parlamentare, raporton KOHA.
Zeka shtoi se partitë politike duhet të lënë anash inatet politike dhe të marrin vendime që janë të domosdoshme në këtë kohë.
E ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, të mërkurën në “Interaktiv” ka thënë se qeveria është në limit për lëvizje buxhetore dhe e ka të pamundur të bëjë pagesat për ata që ishte paraparë të përfitonin nga Pakoja Emergjente, pa kaluar në Kuvend rishikimi i Buxhetit 2020.
Pos kësaj, Bajrami ka thënë se pret që për disa javë apo pak më shumë se një muaj qytetarëve t’u mundësohet të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre nga Fondi Pensional.
Ndërkaq, dy odat ekonomike, ajo e Kosovës dhe amerikane kanë konsideruar se kjo ide është mundësi e mirë agregate për nxitjen e zhvillimit në vend.