Arbëri

Oda Amerikane vlerëson rolin e Komerciales në tërheqjen e investimeve

Gjatë konferencës së organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, theksi është vënë te nevoja që Gjykata Komerciale t’i trajtojë në kohë kontestet tregtare dhe konfliktet administrative. Folësit në të kanë thënë se vendimet e drejta dhe në kohë tërheqin edhe investitorë të huaj

Në tërheqjen e investimeve të huaja rol me rëndësi ka vendimmarrja e Gjykatës Komerciale, është konstatuar në konferencën “Drejtësia dhe biznesi”, e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, të enjten në Prishtinë.

Kryetari i kësaj ode, Arian Zeka, ka thënë se të bërit biznes në Kosovë ka sfida, por që me themelimin e Komerciales këto vështirësi për bizneset do të lehtësohen.

“Një proces gjyqësor i drejtë, efikas dhe transparent është i rëndësishëm jo vetëm për tërheqjen e investimeve, por edhe në ndërtimin e besimit në sistemin e përgjithshëm e pa dyshim edhe për rritjen e gjithmbarshme ekonomike të vendit, ashtu që Kosova të mund të jetë konkurruese në skenën rajonale e ndërkombëtare”, ka thënë Zeka.

Ndërkaq zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka theksuar se për një periudhë të gjatë sektorët e biznesit janë përballur me vonesa vendimmarrjeje nga sistemi gjyqësor.

Ai ka thënë se Gjykata Komerciale rrit besueshmërinë e sistemit gjyqësor në trajtimin e çështjeve komerciale dhe të biznesit.

“Problemi kryesisht ka qenë mungesa e numrit të mjaftueshëm të gjyqtarëve të specializuar, si dhe mungesa e burimeve të duhura për trajtimin e procedurave komplekse dhe kjo ka krijuar një ngarkesë të panevojshme për bizneset, të cilat shpesh kanë hasur vështirësi për të marrë vendime të shpejta dhe për të adresuar mosmarrëveshjet me shpejtësi dhe efikasitet”, ka deklaruar Sallahu.

Gjykata Komerciale, e cila është themeluar në gusht të vitit 2022, vepron si gjykatë e shkallës së parë dhe e shkallës së dytë dhe ka në juridiksion të gjykojë të gjitha kontestet tregtare dhe konfliktet administrative.