Më shumë se 600 raste janë trajtuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike që nga viti 2014, kur edhe është themeluar.
Në këtë institucion trajtohen personat me probleme mendore, të cilët kanë kryer vepra penale, nga ato më të lehtat deri më të rëndat, që janë vrasjet, por edhe personat që janë të varur nga drogat, raporton KOHA.
Drejtori i këtij instituti, Gani Halilaj, ka thënë se është dashur që të jenë të ndarë në reparte këto dy kategori, por tash për tash janë duke u trajtuar në hapësira të përbashkëta.
Por, për këto raste neuropsikiatri që ka shërbyer për shumë vjet në këtë institut, Fahri Drevinja, thotë se Kosova është dashur të ketë ndonjë institucion të tipit të mbyllur.
Por, me këtë nuk pajtohet drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në kryeqytet, Sami Rexhepi.
Ai thotë që nuk duhet të ketë institucione të mbyllura psikiatrike, por personat që kanë probleme mendore duhet të trajtohen pa i izoluar.
Më shumë se 1 mijë persona me probleme të shëndetit mendor trajtohen në Qendrën e Shëndetit Mendor në kryeqytet, e cila merret me rehabilitimin dhe risocializimin e të sëmurëve kronikë psikiatrikë.
Por, kërkesat për trajtim janë shumë më të mëdha se kapacitetet e kësaj qendre.
Megjithatë në Kosovë është Qendra e Rehabilitimit në Shtime, e cila është gjysmë e hapur, dhe pacientët qëndrojnë aty më gjatë, varësisht nga gjendja e tyre shëndetësore mendore.
Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që të mos ketë institucione psikiatrike të tipit të mbyllur.