Ndihmëssekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, James O’Brien, ka thënë se arritja e stabilitetit në Ballkanit Perëndimor është vështirë të arrihet dhe ka sugjeruar që fokusi të jetë në reforma ekonomike. Tek ka folur për këtë, ai ka marrë si shembull të mirë Serbinë, pavarësisht dyshimeve për keqpërdorim të zgjedhjeve në këtë shtet. Ekspertë amerikanë për Ballkanin thonë se kjo është tregues që Ballkani më nuk përbën prioritet për Washingtonin
Shtetet Ballkanit Perëndimor duhet të inkurajohen të ndërmarrin reforma ekonomike edhe me rrezikun e një destabiliteti politik, ka thënë Ndihmëssekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, James O’Brien.
Në një debat organizuar nga Instituti amerikan i politikave publike – Fondi Marshall Gjerman i Shteteve të Bashkuara (GMF), O’Brien ka folur për rrugën përpara drejt integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian (BE).
“Në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sapo u takova me gjashtë liderët në fillim të kësaj jave dhe të gjithë kanë njëfarë lodhjeje, sinqerisht, duke u premtuar një rrugë drejt BE-së dhe më pas nuk e ndjekin kurrë atë. Brukseli është i vetëdijshëm për këtë, dhe jo vetëm, mendoj se ka një frymë të ndryshme nga shtetet anëtare të BE-së se si të angazhohen, dhe ata po krijojnë disa mekanizma inovativë. Pra, Ballkani Perëndimor, për shembull, tani pret miratimin përfundimtar të planit evropian të rritjes për rajonin. Dhe gjëja kryesore për këtë është, në këmbim të disa reformave, statusi i çdo shteti – më vete, pa veto nga një tjetër – do të jetë në gjendje të përfitojë nga pjesëmarrja në Tregun e Përbashkët Evropian. Këto janë steroide për ekonomi”, ka thënë O’Brien.
Kur është pyetur nëse duhet zgjedhur mes stabilitetit politik dhe reformave, duke iu referuar dyshimeve për vjedhjen e votave në Serbi, O’Brien i ka quajtur të rëndësishme reformat ekonomike nga shteti serb.
“Ndërtimi i stabilitetit kërkon kohë. Një ekuilibër midis të tashmes dhe durimit ka vërtet rëndësi. Pra, ne shikojmë zgjedhjet serbe dhe mendoj se ende nuk e dimë nëse do të ketë një qeveri në Beograd nga këto zgjedhje. Vëzhguesit ndërkombëtarë në fakt nuk i mbikëqyrën ato zgjedhje. Pra, gjetja e provave të asaj që ndodhi në Beograd është diçka që, e dini, ndërtohet me kalimin e kohës. Por ne do të shohim nëse ka një qeveri që është formuar. Por në nivel parlamentar, partitë opozitare dolën me 200 mijë vota më shumë dhe shumë më tepër deputetë sesa kishin më parë. Dhe në shumë fusha, kjo është një shenjë e një vendi që po lejon rrugë tjetër përpara”, ka thënë ai.
Sipas tij, sfida në vazhdim është se kush do të jetë në gjendje të realizojë premtimet për popullin e Serbisë.
“Dhe mendoj se në një mënyrë që shpeshherë diskutimet në Uashington anojnë është se në shtrirjen aktuale të rajonit, Serbia ia del mjaft mirë sipas standardeve të investimeve dhe atyre ekonomike. Pra, nëse i mbajmë gjërat ashtu siç janë, në thelb kemi një situatë ku Serbia, të ardhurat në Serbi vazhdojnë të rriten, shumë investime me vlera të larta shkojnë në Serbi. Dhe nëse duam që shtetet e tjera dhe njerëzit në ato shtete të kenë të njëjtën mundësi, ne duhet të inkurajojmë reformat. Edhe me rrezikun e një destabiliteti”, ka potencuar diplomati amerikan.
Normalizimit ekonomik para atij politik, i pati dhënë përparësi ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Nën ndërmjetësimin e tij, Kosova e Serbia patën arritur të Marrëveshje për Normalizim Ekonomik, por që shumë pika të saj nuk kanë gjetur ende zbatim.
ekspertit amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, deklaratat e O’Brien tregojnë se Ballkani nuk është prioritet për Washingtonin dhe shpërfaq zbutje karshi Serbisë.
“Kur iu drejtua Ballkanit ai theksoi çështjet ekonomike. Kjo ju tregon shumë. Jim dyshon se çështjet politike mund të zgjidhen aktualisht. Jim përpiqet t’i dredhojë zgjedhjet e Beogradit, pasi OSBE-ja nuk i vëzhgoi zyrtarisht ato. Por faktet dihen mirë. Qeveria dërgoi mijëra votues nga Bosnja për të votuar në Beograd, pasi kishte frikë nga humbja. Edhe kështu, ajo nuk fitoi 50 për qind të vendeve. Se kush do të qeverisë atje është ende e paqartë. Jim e trajton rezultatin si shenjë reforme dhe jo mashtrim. Ky është një shembull shqetësues i zbutjes amerikane ndaj presidentit serb Vuçiq”, ka thënë Serwer.
Ai shton se qasja e duhur është reforma me stabilitet. Sipas Serwerit, paqëndrueshmëria e Serbisë në vitet e fundit lidhet me refuzimin e presidentit Vuçiq për tu reformuar. Sipas tij, edhe armatosja e saj paraqet kërcënim për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.
“Kjo ka çuar në demonstrata masive kundër dhunës, kundër korrupsionit dhe pro-mjedisit, kundër qeverisë. Nuk ka gjasa të ketë stabilitet derisa të paktën disa nga këto kërkesa të opozitës të përmbushen. Nocioni se Vuçiqi mund të kapërcejë valën e protestave dhe të imponojë qëndrueshmëri duke përdorur masa gjithnjë e më autokratike, nuk është bindës. Gjithashtu nuk është diçka që SHBA-ja duhet ta mbështesë. Nuk do të ndihmojnë as kërcitjet e vazhdueshme kundër Kosovës”, ka thënë Serwer.
Një fushë e rëndësishme, por e lënë pas dore prej kohësh, sipas Serwerit, janë shpenzimet ushtarake.
“Serbia ka kryer një grumbullim masiv ushtarak, duke përfshirë dronë, mbrojtje ajrore dhe disa Humvee për të mbajtur amerikanët të qetë. Arsyeja e vetme për një riarmatim të tillë është kërcënimi i Kosovës dhe i fqinjëve të tjerë. Asnjë prej tyre nuk kërcënon Serbinë, e cila megjithatë është në ankth për të kontrolluar popullsinë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë. Përpjekja për ta bërë këtë shkon me emrin ‘bota serbe’”, është shprehur Serwer.
Ai ka theksuar se Uashingtoni dhe Brukseli duhet t’i thonë Beogradit se “bota serbe” është mallkuar dhe ngritja ushtarake duhet të ndalet.