Arbëri

O’Brien: Nevojitet koordinim para zbatimit të rregullores së re të BQK-së

James O'Brien

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, ka mirëpritur vizitën e ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Serbi dhe atë që pritet të mbahet në Kosovë, ku ka thënë se do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.

O’Brien nëpërmjet një postimi në platformën X, ka thënë se zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt, si dhe nevojitet koordinim para zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me monedhat.

Derisa Serbisë i është kërkuar t’i mbajë përgjegjës ata që janë përfshirë në sulmin e ndodhur më 24 shtator në Banjskë.

“I mirëpresim vizitat e ndërmjetësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. SHBA-ja e mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Nevojitet zbatimi i plotë i marrëveshjeve, përfshirë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt, si dhe nevojitet koordinim para zbatimit të rregullores së re për monedhat. Serbia duhet t’i mbajë përgjegjës ata që janë përfshirë në sulmin në Banjskë”, ka thënë O’Brien.

Lajçaku ka qëndruar të hënën në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryenegociatorin për dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq.

Të martën ai pritet të zhvillojë vizitë edhe në Kosovë.