Arbëri

O’Brien: Kosova e Serbia të zbatojnë Aneksin e Ohrit

James O'Brien

O’Brien më 20 tetor ka qëndruar në Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, i ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë të zbatojnë Aneksin e Ohrit, duke thënë se e mbështet procesin e dialogut.

Pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup, O’Brien është shprehur se “fuqishëm e mbështet Marrëveshjen e Ohrit dhe se palët duhet të angazohen për zbatim”.

“Ne fuqishëm mbështesim Marrëveshjen e arritur në Ohër dhe besojmë se të dyja vendet duhet të angazhohen nëpërmjet dialogut të zbatojnë Marrëveshjen”, ka thënë O’Brien.

Kosova e Serbia kanë arritur marrëveshje më 18 mars të 2023-s në Ohër.

Bashkimi Evropian e kishte quajtur si shumë të suksesshëm takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.

BE-ja pati thënë se në të palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

O’Brien sa i përket planit të BE-së për rritje të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se është iniciativë krejt ndryshe.

“E para ka përfitime të shpejta. Në këtë program në shkëmbim të disa reformave, shtetet do të kenë qasje te tregu i përbashkët evropian. Është një treg shumë i pasur. Përfitimi i madh vjen shpejt. Kemi dy ide praktike, njëra për të reduktuar tarifat për të transferuar para, e tjetra zgjerimin e linjave të gjelbra”, ka thënë O’Brien. “Në këtë program asnjëri s’mund t’i vë veto tjetrit. Secili shtet është përgjegjës për reformat e veta dhe për të punuar me sa më shumë fqinjë që mundet. Shtetet që marrin iniciativë kanë përfitim më të shpejt”. 

Ai ka thënë se do të ketë pasoja kush pengon integrimin e tjetrit.