Për të hyrë në klasa, nxënësit e shkollës “Pavarësia” në Prishtinë prej kohësh detyrohen të kalojnë nëpër ujëra të zeza, që kanë vërshuar oborrin e objektit. Prindërit dhe banorët e lagjes ankohen se për problemet e kahershme, autoritetet komunale nuk kanë intervenuar. E në Komunën e Prishtinës e bënë zotimin se problemi do të zgjidhet, por pas përfundimit të vitit shkollor
Ka më shumë se dy javë që oborri i shkollës fillore “Pavarësia” është kapluar nga ujërat e zeza. Telashet me kanalizim kanë shkaktuar daljen në sipërfaqe dhe rrjedhja e tyre ka përfshirë një pjesë të madhe të hapësirës së oborrit.
E kjo situatë ka detyruar nxënësit, prindërit dhe stafin e shkollës të përballen me kundërmim e vështirësi në kalim.
Valton Ahmetxhekaj, që i ka dy fëmijë nxënës në këtë shkollë, ankohet se problemi përsëritet në vazhdimësi.
“Sidomos edhe shi kur po ka, po rrjedh kanalizimi. Po vjen erë e pakëndshme për krejt ata që janë aty. Sidomos kjo është edhe më keq për nxënësit që janë prezentë aty në oborr të shkollës. Po krijon probleme edhe kur mësueset ose stafi i qesin nxënësit jashtë në pushim, për shembull në lëndën e edukatës fizike”, ka thënë Ahmetxhekaj. “Po krijon probleme të pakëndshme ajo, por komuna deri më sot nuk ka bërë kurrgjë”.
Të shtunën, niveli i ujërave ka rënë e ekipet e kontraktuara nga Komuna intervenuan në hapjen e kapakëve të pusetave.
Megjithëkëtë, disa nxënës treguan në kushte anonimiteti se shkaku i situatës prej ditësh janë përballur me vështirësi në zhvillimin edhe të aktivitetet të edukatës fizike.
E qytetarja Dashurije Mazreku u ankua për kundërmimin.
“Dje kalova këndej. Kishte qenë uji duke rrjedhë, dhe një erë e keqe vinte. Nuk e dija a është e ujërave të zeza, apo ndonjë gyp apo diçka. Erë vinte, me siguri ajo. Këtu ishte plot ujë e mbushur, edhe i kishin qitë do farë pllakash, po uji kalonte krejt jashtë. Me erë shumë të rëndë”, ka treguar ajo. “Dje kalova këndej edhe thashë: oh fëmija qysh, a e dinë me kalu këtë pjesë këndej”.
Jehona Lushaku-Sadriu, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, premtoi se zgjidhje këtij problemi do t’i bëhet gjatë verës, kur sanimi i kanalit të ujërave të zeza do të përfshijë edhe lagjen “Mati”.
“Kjo është gjë të cilën jemi zotuar që do ta sanojmë pasi që viti shkollor të përfundojë, atëherë kur nuk ka nxënës. Ka nevojë që të hapet një kanal i ri i ujërave të zeza. Po këtu është pastaj edhe implikim i të gjitha niveleve qeverisëse, nuk ka të bëjë me Drejtorinë e Arsimit direkt, por edhe me investimet kapitale, se ka lidhje edhe me lagjen”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Shkaku i mbipopullimit me nxënës, shkolla “Pavarësia” e zhvillon procesin mësimor në tri ndërresa.