Objekti i Qendrës së Mjekësisë Familjare numër katër në Ferizaj nuk i plotëson as kushtet elementare për punë. Për këtë janë ankuar stafi e banorët e kësaj lagje. Në Komunë janë arsyetuar se shkaku i kufizimeve buxhetore nuk kanë arritur të intervenojnë deri tash.
Banorë të lagjes “Enver Topalli” në Ferizaj prej vitesh po kërkojnë nga institucionet komunale renovimin e objektit të “Qendrës së Mjekësisë Familjare numër 4 “, i cili sipas tyre, nuk i plotëson kushtet teknike për shërbime mjekësore.
Përfaqësuesi i kësaj lagjeje, Naser Isaku, e disa pacientë kanë thënë se objekti nuk i plotëson as kushtet elementare.
“Duhet patjetër të intervenohet këtu, sepse kjo ambulantë tash është ngarkuar shumë sepse frekuentojnë dy zona. Ka qenë një ambulant tjetër por ajo është rrënuar kështu që krejt ata pacienta po vijnë këtu kështu që duhet kushtet patjetër me i përmirësuar”, tha Isaku.
“Këtu stafi i mirë është, por ka nevojë t’i rregullon këto karrige se objekt i vjetër është. Gjeneratori qe 3 apo 4 vjet nuk punon këtu”, tha pacienti Isuf Sefedini.
Për ta përmirësuar gjendjen teknike në këtë objekt, kërkesa e shqetësime ka ngritur në mbledhjet e fundit të Kuvendit edhe shefi i asamblistëve, njëherësh banorë i kësaj lagjeje Flamur Istrefi, por pa sukses.
“Shqetësimet e tilla i kemi ngritur edhe në të kaluarën në Kuvend por edhe në konferenca për media. Kemi thënë se shëndetësia në përgjithësi është në gjendje të mjerueshme e sidomos objektet fizike ku ata shërbejnë e po ashtu gjendja e rëndë për shkak të mbulesave e gjeneratorëve e bën edhe më të rënd punën te profesionistët shëndetësor po ashtu rrezikon edhe pacientët të cilët vijnë dhe marrin shërbime dhe të shërohen. Është rrezik i shpërndarjes së ndonjë infeksioni me këto kushte që punojnë këto qendra të mjekësisë familjare e sidomos qendra e mjekësisë familjare numër 4”, tha Istrefi.

Pas këtyre shqetësimeve, objektin e ka vizituar drejtori komunal i Shëndetësisë Kemajl Emini i cili është zotuar se së shpejti do të përmirësohen të gjitha kushtet.
“Ne pas renovimeve që patëm gjatë 2023-n në QMF në Nerodime, Greme , Komogllavë dhe në qendra tjetër në vaksinim, laborator dhe emergjencë, në QPS dhe në shtëpinë rezidenciale , tashmë në këtë vitë qysh në muajin shkurt do të fillojmë me renovime të tjera dhe si pikë të rendit e kemi QMF4”, tha Emini.
Sipas drejtorit Emini, në këtë qendër marrin shërbime mjekësore 1/4 e qytetarëve të Ferizajt.