Para tre vjetëve ishte vënë guri themeltar i objektit të ri të shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani” në Pejë dhe nxënësit e stafi i shkollës kanë pritur që sivjet në shtator të ndërrojnë paralelet e vjetra me ato të rejat në shkollën e re që po ndërtohet në oborrin prapa shkollës së vjetër.
Ashtu u është thënë kur ka nisur realizimi i punimeve, që është financuar nga Ministria e Administratës Publike, me vlerë prej 2 milion eurove.
Por nxënësit dhe stafi i shkollës vazhdojnë ta shohin vetëm nga rruga objektin, në të cilin akoma janë duke u kryer punimet e vrazhda, raporton KOHA.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Syndyze Loxha shpreson që objekti i ri të jetë i gatshëm së paku për vitin e ardhshëm.
Porse a do të kryhet edhe një vit shkolla apo edhe sa do të zgjasë ndërtimi i saj nuk e di as drejtori i Arsimit në këtë komunë, Besim Avdimetaj.
Për zvarritjen e ndërtimit të shkollës, KOHA ka kontaktuar pronarin e kompanisë së kontraktuar nga Ministria, Visar Kelmendi, i cili ka pohuar se kompania e tij ka punuar aq sa i kanë dhënë Ministria mjete për këtë projekt.
Sipas tij, po t’i kishte dhënë Ministria të gjitha mjetet me kohë, shkolla tashmë do të ishte kryer.
Financimin e këtij projekti e ka trashëguar Ministria e Punëve të Brendshme, në të cilën është shkrirë ish-Ministria e Administratës Publike.
Mirëpo në përgjigjën e Ministrisë dërguar KOHËS për zvarritjen e këtij projekti nuk figuron asgjë për financim jo të rregullt të projektit.
Kjo ministri arsyetohet se edhe pandemia ka ndikuar në zvarritjen e punimeve.