Ka tre vjet që objektet fetare janë të liruara nga pagesa e faturave të ujit, por tash Komisioni për Bujqësi ka filluar plotësim ndryshimin e ligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit, raporton KTV .
Me këtë rast, Bashkësia Islame e Kosovës do të duhet të paguajë për ujin e shfrytëzuar nëpër xhami. E njëjta do të ndodhë edhe me bashkësitë tjera fetare në vend.
Por këtë po e kundërshtojnë udhëheqësit e objekteve fetare. Idriz Xhigoli, përgjegjës për xhamitë në kryeqytet, thotë se është e padrejtë që t’i detyrojnë ata ta paguajnë ujin, të cilin thotë se e shfrytëzojnë të gjithë qytetarët e Prishtinës. Por në këtë komision u tha se është e domosdoshme që të behët ky ndryshim në mënyrë që të ndalen dhe keqpërdorimet e mundshme.
Deputeti nga 6 plus Danush Ademi e ka kundërshtuar këtë ide, duke thënë se kjo është diskriminuese.
Ndryshe, në Ujësjellësin Rajonal Prishtina kanë thënë se janë gjithsej 93 objekte fetare në menaxhimin e tyre. Ndërsa nga paslufta e deri më 1 janar të vitit 2017, borxhi total i objekteve fetare në përgjithësi ndaj shërbimeve te ujësjellësit është 139 mijë euro.
Edhe Manastiri i Deçanit është njëri ndër objektet e kultit që nga paslufta asnjëherë nuk ka paguar për ujin që e shfrytëzon për ujitjen e tokave të tij. Në Kompaninë
Rajonale të Ujitjes “Drini i Bardhë” thonë se i kanë dërguar disa herë kërkesë Manastirit që t’i kryejë obligimet, por nuk kanë marrë përgjigje.