Kuvendarët e Obiliqit kanë marrë vendim për faljen deri në 100 euro të tatimit në pronë për vitin 2023. Vendimi është miratuar në një seancë të jashtëzakonshme të mërkurën.
Kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, ka thënë falja e tatimit në pronë u bë për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike dhe inflacionit.
Ndërkaq, dega e Vetëvendosjes në Obiliq ka njoftuar se kjo ka qenë kërkesë e këshilltarëve të saj në këtë komunë.
Në vendim thuhet se ata që s’kanë paguar tatimin në pronë për vitin 2023 do të përfitojnë zbritje deri në 100 euro, ndërsa ata që e kanë paguar, kjo shumë do t’u kompensohet për vitin 2024.
Ditë më parë që kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj bashkë me Asociacionin e Komunave të Kosovës e kanë dërguar në Kushtetuese Ligjin që e mundëson një gjë të tillë, duke akuzuar Qeverinë se po ndërhyn në çështjet komunale.
Ligji parasheh që deri më 15 shtator komunat kanë afat të marrin vendim për faljen apo jo të tatimit. Mjetet ndalen nga të hyrat vetjake të komunave dhe kjo ishte përplasja që kishin komunat me Qeverinë.
Ditë më parë, vendimin për faljen e deri 100 eurove në tatimin në pronë e mori edhe Komuna e Graçanicës.