Komunarët e Obiliqit kanë bërë tjekalim të kontratës kornizë shumëfish më shumë sesa që është e lejuar me ligj. Neni 56.15 i Rregullit dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik parasheh që “kurdo që autoriteti kontraktues nuk i di sasitë indikative, kontratat me çmime për njësi, AK-ja duhet të përcaktojë peshët në bazë të rëndësisë së secilës ‘kategori të shërbimeve’ ose secilit “artikull” në mënyrë që autoriteti kontraktues të përcaktojë se cila është oferta me çmim më të ulët”.
Në këto raste, siç thekson raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit, nuk vlen pragu apo tavani plus/minus tridhjetë përqind (30%), si p.sh. mirëmbajtje të veturave, mirëmbajtje të gjeneratorëve dhe shërbime tjera. Në këto raste në hapje publike të ofertave lexohet çmimi total i poentuar (peshuar) i cili shërben vetëm për qëllim të vlerësimit të ofertave ndërsa kontrata lidhet me çmime për njësi.
“Komuna më datën 20.10.2020 kishte lidhur kontratë publike kornizë me çmim për njësi për ‘Rrënimi i objekteve, pastrimi i mbeturinave ilegale, pastrimi i shtratit të përrockave lumenjve dhe shërbimeve tjera publike në raste emergjente’ në vlerë të parashikuar prej 96,505€. Ne kemi vërejtur se komuna kishte bërë tejkalim të kontratës për 271,258€. Kjo ka ndodhur për shkak të menaxhimit jo të mirë të kontratës si dhe certifikimit të pagesës jo ne pajtim me kërkesat ligjore”, thekson raporti i Auditorit për vitin 2022.
Bazuar në këtë dokument, tejkalimi i kontratave publike kornizë ndikon në rritjen e shpenzimeve shtesë të paarsyeshme dhe të paplanifikuara të parasë publike si dhe ndikon në rritjen e obligimeve komunale.
ZKA-ja ka gjetur po ashtu se Komuna e Obiliqit kishte shkëputur një kontratë pasi kishte pranuar situacionin e parë.
“Neni 40.1 e Rregullores nr.001/2022 për Prokurim Publik shkruan se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve bëhet në pajtueshmëri me parimet themelore të përcaktuara me LPP. Po ashtu neni 40.9 shkruan se AK do të përmirësojë gabimet plotësisht aritmetike në tender nëse gabimet e tilla zbulohen gjatë ekzaminimit të tenderëve, sidoqoftë ky përmirësim nuk mund të jetë më shumë se dy përqind (2%) i vlerës totale të ofertës”, thuhet në raport.
Sipas të njëjtit, në rast se shuma e korrigjuar është më shumë se +/- 2%, AK do të eliminojë OE dhe do të informojë me shkrim OE në fjalë duke përdorur formën standarde B42.
Gabimet e konstatuara nga MAPL, sipas raportit ishin rreth 9 për qind mbi atë të lejuar sipas rregullave të prokurimit.
“Udhëheqësja e prokurimit më datën 14.10.2022 ka njoftuar OE-në për shkëputjen e kontratës.
Kjo ka ndodhur për shkak se komisioni i vlerësimit në kohën e ekzaminimit dhe vlerësimit të tenderit nuk ka vërejtur gabimet në paramasën e operatorit. Si dhe pas përfundimit të procesit të vlerësimit, udhëheqësja e prokurimit nuk ka shqyrtuar propozimin për kontratë të rekomanduar nga komisioni vlerësues”, thuhet në raport.
Mosidentifikimi me kohë i gabimeve nga komisioni për vlerësimin e ofertës si dhe mosrevidimi me kohë i projektit, sipas Auditorit, ka ndikuar në kosto shtesë për komunën për këtë projekt.
“Kryetari duhet të sigurojë se komisioni për vlerësim bënë vlerësimin e duhur të ofertave duke mos shmangur gabimet aritmetikore në asnjë rast. Po ashtu duhet të kërkojë përgjegjësi nga kompania projektuese ngase kanë rrjedhur ndryshime në paramasën për të cilën veç se ka paguar komuna kompaninë projektuese”, thekson raporti.
Lidhur me këtë, KOHA i është drejtuar me pyetje zyrtarëve komunalë që nga 16 gushti, por ende nuk ka marrë përgjigje.