Arbëri

Obiliqi synon t’ia marrë rreth 55 hektarë KEK-ut e t’ia japë një kompanie angleze

Komuna e Obiliqit ka ndërmarrë nismën për t’i shpallur rreth 55 hektarë tokë të Korporatës Energjetike të Kosovës pronë me interes të përgjithshëm për t’ia dhënë një kompanie angleze që do ta ndërtojë një depo 1.7-hektarëshe. Në vendimin e Kuvendit Komunal thuhet se kompania angleze do të ofrojë shërbime komunale, pa specifikuar më shumë. Ndërsa, siç shihet në ueb-faqen e kompanisë, ajo merret kryesisht me paluajtshmëri dhe burime të ripërtëritshme

Dhjetëra hektarë tokë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Komuna e Obiliqit synon t’i kthejë në pronë komunale për t’ia dhënë më pas një kompanie angleze që merret me paluajtshmëri e burime të ripërtëritshme.

Kuvendi Komunal ka marrë vendim nëpërmjet të cilit i ka shpallur tri parcela të KEK-ut me sipërfaqe afro 55-hektarëshe prona me interes të përgjithshëm që janë në zonat kadastrale Obiliq dhe Milloshevë.

Ky vendim, që mban datën 20 nëntor, derivon nga një memorandum i mirëkuptimit i datës 28 korrik të këtij viti, i lidhur ndërmjet komunës dhe kompanisë “Chayton Capital” për realizimin e një projekti, siç thuhet, strategjik.

“Qëllimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi është krijimi i një bashkëpunimi ndërmjet komunës dhe investitorit, për identifikimin dhe ofrimin e shërbimeve komunale në kuadër të kompetencave ligjore e cila rregullohet me legjislacionin në fuqi, e cila ka për qëllim investimin brenda territorit të Komunës së Obiliqit. Nga ky investim Komuna e Obiliqit do të përfitojë të ardhura shtesë dhe krijimin e mbi 100 vendeve të punës direkte, me efekte shtesë shumëfishuese”, thuhet në memorandum.

Në dokument theksohet se ky memorandum nuk ka për qëllim të jetë i detyrueshëm për asnjërën nga palët e përmendura, përveç konfidencialitetit dhe interesit të ndërsjellë.

Lidhur me vendimin dhe memorandumin, KOHA u ka adresuar pyetje zyrtarëve komunalë të Obiliqit, por nuk ka marrë përgjigje.

David Allen, përfaqësues i kompanisë angleze dhe nënshkrues i memorandumit me Komunën e Obiliqit, ka thënë për KOHËN se kompania është e përfshirë në investime në pasuri të paluajtshme dhe burime të ripërtritshme, kryesisht në Evropën Qendrore e Lindore dhe Evropën Juglindore, e që nuk lidhet me qëllimin e vendimit të Kuvendit Komunal.

“Objektivi i kësaj nisme është të maksimizojë përdorimin e tokës brenda komunës për të zhvilluar një sektor të pasurive të paluajtshme që aktualisht nuk ekziston në zonat përreth, në të njëjtën kohë për të inkurajuar edhe tregtinë elektronike, shitjen me pakicë, ndërtimin dhe sektorët e tjerë të ndërlidhur. Qëllimi i këtij memorandumi mirëkuptimi është të krijojë një bashkëpunim midis komunës dhe investitorit për identifikimin, zhvillimin dhe shfrytëzim afatgjatë të tokës për zhvillimin afatgjatë dhe shfrytëzimin e një qendre të madhe logjistike/depoje”, ka thënë Allen.

E zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë thënë të mos kenë qenë të njoftuar për projekte të kësaj natyre.

Zëdhënësi Skender Bucolli, ka thënë se KEK-u do të analizojë këtë çështje dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Opozita në Obiliq ka ngritur dyshime për aktivitetin e kompanisë, së cilës pushteti lokal synon t’ia ofrojë pronën.

“Një formë e tillë është e papranueshme edhe ligjërisht dhe ne gjithsesi do ta ngremë në instancat e duhura. Mirëpo, një zakon i tillë është i papranueshëm, sepse të gjitha pronat komunale që po jepen në Komunën e Obiliqit, po jepen në këtë formë: Fillimisht po bëhen marrëveshje nën tavolinë dhe pastaj po sjellin në Kuvend dhe Kuvendin po e qesin para aktit të kryer”, ka thënë Sami Ahmeti, shef i Grupit të Kuvendarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq.

Ahmeti ka theksuar se ky memorandum nuk garanton asgjë për komunën.

Lidhur me vendimin e Kuvendit Komunal, KOHA i ka dërguar pyetje Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila e vlerëson ligjshmërinë e akteve të kuvendeve komunale, por nuk ka marrë përgjigje.