Komuna e Obiliqit ka paguar afro 1 milion euro në kundërshtim me rregullat financiare.
Sipas raportit vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), në 6 raste zotimi i mjeteve ishte bërë pas pranimit të mallit dhe në 28 raste tjera urdhërblerjet ishin bërë po ashtu pas pranimit të mallit. ZKA-ja në raportin e saj vjetor ka theksuar se vlera e këtyre pagesave ishte 903 mijë e 411 euro.
“Rregulla financiare Nr.01/2013 neni 12 përcakton që fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, më pas zotimi i mjeteve, të procedohet urdhër blerja, pastaj të pranohet malli apo shërbimi, dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa. Ne identifikuam se në gjashtë raste (vlera e pagesave 111,753€) zotimi i mjeteve ishte bërë pas pranimit të mallit apo shërbimit/punëve dhe pranimit të faturës; dhe në 28 raste (vlera e pagesave 791,658€), urdhër blerjet ishin bërë pas pranimit të mallit apo shërbimit dhe pranimit të faturës”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Kjo dukuri, sipas Auditorit, ka ndodhur për faktin që nuk janë zbatuar procedurat ligjore për shpenzimin e parasë publike nga ana e zyrtarëve përgjegjës.
“Mosaplikimi i procedurave të duhura të kontrollit gjatë procesit të pagesave, mund të ndikojë që komuna mos t'i kryej obligimet e faturuara me kohë, rrjedhimisht rritjen e obligimeve të papaguara, të cilat do të jenë barrë për buxhetin e vitit vijues. Kryetari duhet të sigurojë se respektohen hapat e përcaktuar me rregullat në fuqi sa i përket realizimit të pagesave në mënyrë që gjatë procedimit të pagesave, të bëhet fillimisht zotimi i mjeteve, pastaj të nxirret urdhër blerja dhe në fund të pranohet puna/shërbimi dhe të kryhet pagesa”, thuhet në raport.
Bazuar në këtë dokument, Auditori ka gjetur edhe realizim të aktiviteteve jashtë planit të prokurimit dhe mosnjoftim i AQP-së.
“Bazuar në nenin 8 të Ligjit për Prokurimin Publik (me ndryshime dhe plotësime) AK duhet të bëjë planin e prokurimit, në të cilin identifikohen me detaje të arsyeshme të gjitha furnizimet, shërbimet dhe punët që AK parasheh t’i prokurojë gjatë vitit fiskal në fjalë. Ndërsa sipas nenit 9, pika 6 e Ligjit të njëjtë precizohet që nëse aktiviteti i prokurimit nuk është përfshirë në planifikimin final të prokurimit, duhet të njoftohet Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) të paktën 5 ditë para autorizimit të inicimit të aktivitetit të prokurimit”.
Kontrata që ka të bëjë me organizimin e festivalit “Zjarr dhe Akull” në vlerë 13,600€, sipas ZKA-së, nuk ishte përfshirë në planin final të prokurimit dhe nuk ishte njoftuar AQP-ja siç kërkohet me Ligjin e Prokurimit.
“Kjo ka ndodhur për shkak të mospërfilljes së rregullave dhe kërkesave ligjore nga zyrtaret përgjegjës të prokurimit. Planifikimi jo plotë i aktiviteteve prokurimit, dhe realizimi i prokurimeve jashtë planit e vështirësojnë realizimin e planit të prokurimit dhe monitorimin e performancës si dhe krijon vështirësi financiare për komunën”, thekson raporti i Auditorit.
Lidhur me vërejtjet e Auditorit, KOHA u ka dërguar pyetje zyrtarëve komuanlë të Obiliqit që nga 16 gushti, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.