Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka thënë se përcaktimi i çmimeve të produkteve të naftës shkel drejtpërdrejt parimet e një ekonomie të tregut të lirë, duke ndikuar negativisht në operacionet e kompanive që tregtojnë karburantet e naftës, duke kërcënuar rrjedhimisht edhe qëndrueshmërinë e tyre ekonomike.
Kjo odë ka shprehur shqetësimin lidhur me, siç ka thënë, “ndërhyrjen e stërzgjatur” të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës në tregun e derivateve të naftës.
“Ndërhyrjet e tilla paraqesin disa rreziqe për ndërmarrjet e sektorit privat, duke përfshirë paqëndrueshmërinë financiare, çrregullimin e tregut, uljen e konkurrencës, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rreziqet ligjore dhe rregullative”, ka thënë oda përmes një komunikate.
Oda Amerikane e konsideron të gabueshëm interpretimin nga ana e Ministrisë të Ligjit për Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, duke vlerësuar se asnjëra nga rastet e cekura në nenin 15 të Ligjit nuk vazhdon të jetë e zbatueshme.
Ajo i ka bërë thirrje MINT-it dhe Qeverisë që të revokojnë menjëherë vendimin për përcaktimin e çmimit të naftës.
“Oda Amerikane u kujton zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikë së Kosovës. Gjatë vlerësimit të kushtetutshmërisë së një akti të ngjashëm juridik, konkretisht të Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se dispozitat e këtij ligji nuk ishin në përputhje me aktin më të lartë juridik të Republikës së Kosovës, duke e shpallur atë të pavlefshëm në tërësinë e tij”, ka thënë tutje.