Arbëri

“NYT” tregon për ndikimin e bandave shqiptare në botën e krimit në Ekuador

Një kandidat për president të Ekuadorit u qëllua për vdekje pak ditë më parë, duke vënë në qendër të vëmendjes përshkallëzimin e dhunës së lidhur me drogën në vendin e Amerikës Latine, dhunë që po nxitet nga grupet e fuqishme ndërkombëtare dhe vendore të krimit

Kur porti më i ngarkuar në Evropë së fundi njoftoi për kapjen e nëntë tonë kokainë që ishin fshehur në paketime me banane – sekuestrimi më i madh i narkotikëve ilegalë – pati një detaj që më nuk ishte befasues. Dërgesa nuk kishte ardhur nga Kolumbia apo Peruja, që janë prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në Amerikën Latine, por nga Ekuadori, një shtet i vogël që gjendet mes tyre.

Ekuadori me vite ka luftuar trafikimin e drogës, për shkak të pozitës gjeografike, e po ashtu për shkak të porteve të mëdha në Oqeanin Paqësor.

Por, në vitet e fundit situata është përkeqësuar.

Një sistem penal i mbingarkuar, i korruptuar dhe i keqfinancuar është bërë fushë për bandat e burgjeve që kanë formuar aleanca me kartelet e fuqishme të drogës nga vendet e jashtme.

Këta përbërës kanë ndihmuar Ekuadorin të ngrihet si “lojtar i madh” në tregtinë globale të drogës dhe po ashtu janë përkujdesur për një valë të jashtëzakonshme të dhunës, duke transformuar jetën e miliona ekuadorianëve.

Kjo mori vëmendje edhe më të madhe në nivel ndërkombëtar, kur javën e kaluar u vra një kandidat për president, ndërsa ekuadorianët po përgatiten të votojnë të dielën.

Kandidati Fernando Villavicencio vazhdimisht kishte paralajmëruar për lidhjet mes bandave të drogës dhe zyrtarëve qeveritarë e politikanëve, dhe disa ditë para vrasjes së tij ai kishte folur publikisht për kërcënimet që kishte marrë nga një grup lokal kriminal.

Vrasja e tij ka rrëqethur vendin me 18 milionë banorë, duke bërë sigurinë si shqetësimin kryesor në mesin e votuesve dhe duke lënë shumë ekuadorianë të hamendësojnë se si shteti, dikur një oazë relativisht paqësore në një rajon të trazuar, është bërë fushëbetejë dhe vend ku politikanët vriten në mes të ditës.

Ana Vera, 44-vjeçare, amvise që jeton në kryeqendër të Ekuadorit, Quito, ka thënë se përshkallëzimi i dhunës ka ndikuar në jetën e të gjithëve.

“Shkon nga shtëpia në punë dhe asgjë tjetër”, tregon Ana.

Image

Shkalla e vrasjeve në Ekuador kishte rënë nën drejtimin e ish-presidentit Rafael Correa, që qeverisi nga viti 2007 deri më 2017, falë politikave dhe një bumi të mallrave, që ndihmoi miliona të dalin nga varfëria.

Por, Correra, në vitin 2009, vendosi të mos e zgjasë qiranë për një bazë ushtarake amerikanë në qytetin port të Mantas, nga e cili fluturonin aeroplanë për ta ndaluar drogën. Ai po ashtu shkëputi lidhjen me Agjencinë Ndërkombëtare të SHBA-së për luftimin e narkotikëve që është në kuadër të Departamentit të Shtetit.

Dëbimi i forcave amerikane pengoi aftësinë e Ekuadorit për të kontrolluar kufirin verior me Kolumbinë dhe lehtësoi shpërndarjen e drogës në këtë vend, sipas një ish-zyrtari ekuadorian të njësitit antidrogë dhe antiterrorizëm. Ai kërkoi të mos identifikohej, sepse po kthehej në shërbim qeveritar.

Pasardhësi i Correas, Lenin Moreno, prioritizoi pagesën e borxhit të jashtëm të vendit dhe vendosi masa shtrënguese. Shkurtimet buxhetore dobësuan më tej aparatin e sigurisë në vend.

Ai eliminoi agjencitë qeveritare, përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë, dhe uli shpenzimet për policinë dhe burgjet, në një vend që kohë të gjatë kishte qenë paqësor, thotë Glaeldys Gonzalez, e cila hulumtoi Ekuadorin për Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Në Kolumbinë fqinje, qeveria nënshkroi një marrëveshje historike paqësore në vitin 2016 me grupin më të madh rebel, Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), që kontrolluan shumicën e tregtisë së drogës.

Kur grupi u çarmatos, hapi rrugë për biznesin e trafikimit të drogës dhe çoi te formimi i grupeve të reja dhe rrugëve të reja, thotë Gonzalez.

Disa fraksione të FARC-ut, që refuzuan të nënshkruanin marrëveshjen, zhvendosën biznesin e tyre në Ekuador, ku do të mund të operonin larg nga sytë e Qeverisë së Kolumbisë.

Ekuadori gjatë është parë si vend transit për drogën që vinte nga Kolumbia e Peruja, por pas vitit 2016 bandat lokale janë përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen e drogës, duke i bashkuar forcat me kartelet meksikane e madje edhe shqiptare.

Brenda tre vjetëve, Ekuadori është bërë eksportuesi më i madh i kokainës në Evropë, sipas agjencisë evropiane që monitoron drogën.

Vetëm javën e kaluar, Holanda njoftoi për një kapje rekord të kokainës nga Ekuadori, në vlerë 660 milionë dollarë, në portin e Rotterdamit, që është më i madhi në Evropë.

Grupet vendore dhe të huaja përfituan nga një shtet, aftësia e së cilës për ta luftuar trafikimin e drogës u godit nga zvogëlimet në polici e ushtri, dhe nga një sistem i dobësuar gjyqësor dhe penal kryesisht i drejtuar nga bandat.

Një ekonomi që përdor dollarët si valutë lokale dhe një kontroll i dobët financiar e ka bërë më të lehtë të pastrohen paratë e drogës.

“Nuk kishte kornizë institucionale, si në shtetet e tjera, që u përballën me këtë problem, pasi kurrë nuk ka qenë problem në Ekuador”, ka thënë Gonzalez.

Për t’i komplikuar gjërat, shumicë policë, ushtarë dhe zyrtarë të burgjeve, janë po ashtu të përfshirë në tregtinë e drogës. Shumë zyrtarë të lartë, përfshirë edhe komandues policorë, janë ndëshkuar, duke u anuluar vizat për në SHBA, për shkak të trafikimit të drogës.

Sot, së paku tri grupe të mëdha ndërkombëtare të krimit operojnë në Ekuador: dy prej karteleve më të fuqishme në Meksikë, Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generacion; si dhe një grup evropian që policia e quan mafia shqiptare.

“Ne nuk po përballemi më me kriminelët e vegjël e zakonshëm, por me kartelet më të mëdha të drogës në të gjithë botën”, ka thënë presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso, vitin e kaluar.

Sado që këto grupe kanë pasur ndikim në zhytjen e Ekuadorit në vrasje e kidnapime të nxitura si pasojë e drogës, burgjet e këtij vendi po ashtu kanë luajtur rol qendror, duke shërbyer si seli e bandave dhe qendra të rekrutimit.

Numri i të burgosurve në Ekuador është rritur në 40 mijë në vitin 2021 krahasuar me 11 mijë sa ishin në vitin 2009, kjo e nxitur nga politikat e ish-presidentit Correa, që mbajnë të akuzuarit në burg deri në gjykimin e tyre, e po ashtu dhënien e dënimeve më të ashpra për tregtarët e vegjël të drogës.

“Ju i mbushni këto burgje me njerëz që duhet të mbijetojnë atje”, thotë Max Paredes, që bën pjesë në një grup hetimor ekuadorian që fokusohet te droga. “Shumë u refuzuan nga familjet e tyre për shkak se përdornin drogë, dhe mënyra e vetme për ta që të mbijetonin ishte të bëheshin pjesë e një bande”.

Një njësit special i krijuar në vitin 2015 për të mbledhur informata për trafikim të drogës në burgje u dha privilegje të burgosurve të caktuar, në këmbim të informatave.

Kjo praktikë çoi në kapjen e më tepër sasie të kokainës jashtë burgjeve, por po ashtu rriti fuqinë e bandave, thotë Jorge Nunez, i cili ka studiuar sistemin e burgjeve në Ekuador për afro 20 vjet.

Biznesi i drogës në Ekuador u bë edhe më i paqëndrueshëm në vitin 2020, kur lideri i kartelit më të fuqishëm vendas, Los Choneros, u vra, duke e copëtuar kështu organizatën dhe duke intensifikuar luftën për primatin në tregtinë e drogës, thotë Gonzalez.

Los Choneros ishte grupi që kandidati për president të Ekuadorit, tashmë i ndjeri, Villavicencio, tha se e kishte kërcënuar atë.

Në të njëjtën kohë, Qeveria e Ekuadorit ka dështuar të marrë hapa, madje edhe më të vegjël, për ta adresuar krizën e sigurisë, ka thënë Carla Alvarez, e cila merret me hulumtime për siguri në Institutin Nacional për Hulumtime të Avancuara në Quito.

Shumë oficerë policie nuk mbajnë armë ose nuk veshin jelekë antiplumb dhe shumë burgje nuk kanë detektorë metali.

Disa radarë që janë vendosur përgjatë vijës bregdetare për t’i zbuluar anijet dhe avionët që transportojnë drogë, janë dëmtuar dhe portet nuk kanë pajisje vëzhgimi që mund t’i përdorin për t’i zbuluar dërgesat e fshehura të kokainës, thotë Alvarez.

Presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso, është kritikuar për reagim të pamjaftueshëm ndaj krizës së sigurisë dhe pritjet janë të mëdha për liderin e ri për të gjetur mënyra për të dalë nga ky ortek i dhunës.

Por ministri i Brendshëm i Ekuadorit, Juan Zapata, nëpërmjet një mesazhi zanor që i ka dërguar “The Times” nëpërmjet WhatsAppit, ka thënë se vala e dhunës është përgjigje ndaj rritjes së presionit qeveritar ndaj grupeve të krimit, përfshirë sekuestrimeve të drogës dhe lëvizjes së shumë liderëve të bandave në burgje të sigurisë maksimale.

“Pra, sigurisht, kjo rrit nivelin e dhunës. Kjo tregon forcën e reagimit të shtetit”, ka thënë Zapata.

Image

Kandidatët që garojnë për zgjedhjet e së dielës, të gjithë kanë theksuar angazhimin që do ta kenë për sigurinë, veçanërisht pas vrasjes së Villavicencios. Por, ka edhe pesimizëm të përhapur rreth aftësisë së Qeverisë për ta rimarrë kontrollin nga bandat e dhunshme që kanë ndikim në shumë pjesë të vendit.

Gjashtë burra janë arrestuar në lidhje me vrasjen e Villavicencios, që të gjithë shtetas kolumbianë, duke forcuar atë përshtypje se forcat e jashtme po kontribuojnë në rrëshqitjen e Ekuadorit në dhunë të pandalshme.

Disa ditë pasi që Villavicencio u qëllua për vdekje, një lider lokal i një partie politike kombëtare në provincën bregdetare Esmeraldas, u vra, duke e bërë atë politikanin e tretë që u vra për një muaj.

“Njerëzit nuk dalin më për të shëtitur apo për të ngrënë në restorant, pasi na vrasin”, thotë Marcos Zuniga, një shofer taksie 53-vjeçar në Guayaquil, që është qyteti më i madh në Ekuador. “Ne nuk kemi përjetuar diçka të tillë”.

Vrasja e Villavicencios, që e kishte bërë luftën kundër krimit të organizuar si shtyllë kryesore të planit të tij, “ishte si të dërgonte një mesazh”, thotë Gonzalez.

“Që nëse flisni për këto çështje ose i prekni këto çështje kaq hapur në nivel publik, kjo mund të ndodhë”, ka thënë Gonzalez.


“NYT” shkruan për lidhjen e kunatit të presidentit ekuadorian me mafinë shqiptare

Në një opinion të Will Freeman, të publikuar në “New York Times”, është përfolur lidhja e kunatit të presidentit të Ekuadorit, Guillermo Lasso, me mafinë shqiptare.

“Alarmuese, kunati i z. Lasso, dikur një prej këshilltarëve më të ngushtë të tij, është nën hetim për lidhjet e pretenduara me mafinë shqiptare. Në mars, një biznesmen i implikuar në këtë rast është gjetur i vdekur”, thuhet në opinion.

Sipas opinionit, rritja e krimit në Ekuador është transnacional, ku kartelet meksikane të drogës dhe grupet kolumbiane e venezuelase e, po ashtu, mafia shqiptare po luftojnë për kontroll të tregtisë së drogës.