Edhe pse rritja e prezencës në mekanizmat ndërkombëtare përbënte një nga synimet kryesore të politikës së jashtme, anëtarësimi në Komisionin e Venecias në vitin 2014 mbetet aderimi i fundit shumëpalësh i madh për Kosovën. Ish-diplomatë dhe njohës të integrimeve vlerësojnë se anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do ta zhbllokonte nyjën e krijuar prej vitesh rreth anëtarësimeve
Shterpësisë disavjeçare të anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare, Kosova synon t’i japë fund me kurorëzimin e aderimit në organizatën më të vjetër evropiane. Dy vjet pas aplikimit, tash ka një rekomandim që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtarja më e re e Këshillit të Evropës (KiE), e themeluar në vitin 1949. Janë edhe dy votime deri në finalizimin e këtij procesi, njëri më 16 prill e tjetri në maj të këtij viti, kur Këshilli i Ministrave duhet ta thotë fjalën përfundimtare.
Dhënia fund e politikës neutrale të Këshillit të Evropës karshi statusit të Kosovës pasi ajo të jetë anëtarësuar në këtë mekanizëm, po konsiderohet avancim krahasuar me proceset e tjera ku Kosova ka nënshkruar marrëveshje, siç është marrëdhënia kryesore kontraktuale me Bashkimin Evropian – Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Në rastin e Këshillit të Evropës, rekomandimi është që Kosova të trajtohet si shtet anëtar i barabartë tek obligohen edhe vendet jo-njohëse të ndërveprojnë me të.
Edhe pse rritja e prezencës në mekanizmat ndërkombëtare përbënte një nga synimet kryesore të politikës së jashtme, anëtarësimi në Komisionin e Venecias në vitin 2014 mbetet aderimi i fundit shumëpalësh i madh për Kosovën.
Efekti i Këshillit të Evropës
Ish-diplomatë dhe njohës të integrimeve vlerësojnë se anëtarësimi eventual në Këshill do ta zhbllokonte nyjën e krijuar prej vitesh rreth anëtarësimeve.
“Pa diskutim që nëse Kosova anëtarësohet në Këshillin e Evropës do të jetë jo vetëm një lajm i mirë por do të ndikojë në fuqizimin e shtetësisë, ndërtimin e imazhit të Kosovës dhe do t’i japë një lloj guximi për të shkuar më tutje dhe aplikuar në organizata tjera ndërkombëtare, sepse mos pranimi i Kosovës në UNESCO vërtetë ka qenë një goditje. Mungesa e njohjeve prej vitit 2020 kur na njohu Izraeli, e ka krijuar njëfarë ‘status quoje’ e cila vërtetë ka qenë shterpë. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës mund t’i lëviz edhe vendet e BE-së. Mendoj se Greqia paçka edhe Bakojanis vjen nga ky vend dhe transmeton edhe qëndrimin e Greqisë, e cila dorën në zemër në çdo organizatë rajonale dhe ndërkombëtare na ka mbështetur edhe pse nuk na ka njohur – pra mund të ketë ndikim në vetë BE-në”, ka thënë ish-diplomati, Sylë Ukshini.
Leonora Kryeziu e cila udhëheqë Institutin për Studime Politike (PIPS) që ndërvepron edhe me Këshillin e Evropës, prej vitesh ka qenë e angazhuar në përmbylljen e anëtarësimit në këtë organizatë. Sipas saj, anëtarësimi është i rëndësishëm për disa arsye.
“E para, për shkak se ne kemi dërguar një aplikim për anëtarësim në BE, i cili fare nuk është konsideruar gjë që tregon se të gjitha vendet të cilat ose aspirojnë integrimin në BE ose janë anëtare, fillimisht Këshilli i Evropës është dera e parë, filtri i parë që këto vende e kalojnë. Raporti i Komisionit Evropian që bëhet për të gjitha vendet, pjesa që i përket sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, të demokracisë, merren nga Këshilli i Evropës. Pra, ky është filtri i parë që e kryen punën për Komisionin Evropian”, ka theksuar ajo. “Prandaj mendoj se përfitimi për Kosovën përpos tjerave të cilat qytetarët do t’i kenë sikurse qasja në gjykatën ndërkombëtare, do të jetë fitore dhe diplomatike e madhe për Kosovën, pasi për herë të parë bëhemi pjesë e një organizate me të drejta të barabarta. Për herë të parë e shijojmë rolin tonë si shtet në arenën ndërkombëtare. Mendoj se kjo mund t’i hapë shumë dyer Kosovës, fillimisht rrugëtimit të Kosovës për anëtarësim në BE, edhe pse këtu kemi pesë vendet mosnjohëse, por shohim se ka njëlloj konsensusi pasi njohja e drejtpërdrejtë do të mbetet sfidë”.
Por Kryeziu shton se nuk duhet vetëkënaqur pasi ende nuk është kryer puna me dy votimet që pritet të mbahen.
“Votimi do të bëhet nga grupet parlamentare të Asamblesë Parlamentare ku jo gjithherë një grup parlamentar do të votojë në bllok pro ose kundër, pasi ka grupe ideologjike brenda që mund të votojnë kundër. Për shembull, në Francë grupet e ndryshme politike mund të japin vota pro dhe kundër anëtarësimit të Kosovës. Çka unë pres është se vendet që kanë demokraci të konsoliduar nuk do të duhej që ta refuzonin Kosovën”, ka potencuar ajo.
Serbia, e cila ka penguar çdo mësymje të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata e kualifikoi gjest armiqësor edhe anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin e Evropës. Veç paralajmërimit për kundërshtim diplomatik e procedural, Serbia kërcënoi me largim nga kjo organizatë nëse pranohet Kosova.
Kundërvënia ndaj fushatës së Serbisë
Beogradi zyrtar po bën fushatë lobuese duke dërguar letra në baza ditore në qendrat kryesore, Bruksel e Washington, me narracione që nuk e pasqyrojnë realitetin në zonat e banuara kryesisht me serbë.
E strategjia e Kosovës për t’iu kundërvënë fushatës serbe, është e fokusuar në kontaktet dhe takimet e rregullta me partnerët ndërkombëtarë.
“Sikurse edhe shërbimi ynë diplomatik me institucionet përkatëse në vendet ku shërbejnë. Për më tepër, të gjitha qendrat kryesore kanë ambasada dhe misionet e tyre në Kosovë, përmes të cilave më së miri përshkruajnë realitetin në veri e që gjithmonë është në shpërputhje të thellë me pretendimet e Serbisë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Deri tash, përparimi i Kosovës drejt anëtarësimeve në mekanizma ndërkombëtarë është kushtëzuar me zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu i Brukselit, të cilat Serbia nuk i ka respektuar kur vjen puna tek anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Serbia ka një përvojë të gjatë dhe fuqi lobuese shumë më të madhe se Kosova. Ajo mund t’i vërë në lëvizje aleatët dhe vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën ende dhe të ndikojë tek disa prej tyre që të mos japin votë në favor të anëtarësimit të Kosovës. Unë po besoj se kjo fazë është e tejkalueshme nëse gjithashtu tregojmë një vullnet të brendshëm për këtë anëtarësim, gjithashtu edhe për të marrë përsipër obligimet për të cilat qeveria është zotuar se do t’i zbatojë pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Leonora Kryeziu.
Proceset e anëtarësimeve në vazhdimësi janë ndërlidhur me zbatimin e ujdive që lidhen me të drejtat e komunitetit serb.
Kur Komisioni për Politikë dhe Demokraci që i dha dritën e gjelbër Asamblesë Parlamentare për ta miratuar anëtarësimin, e vlerësoi arritje të madhe zbatimin e vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit. Ndërkaq themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është kërkesa kryesore e serbëve, Kosovës i përshkruhet si një “angazhim pas anëtarësimit”.
Edhe liderët e shtetit përmes një letre dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis u zotuan t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet.
Sylë Ukshini, që ligjëron Historinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, konsideron se Këshilli i Evropës mund të shërbejë si mësim për BE-në në trajtimin që i bënë Kosovës.
“Për shkak se anëtarësimi në Këshillin e Evropës, njohja eventuale nga disa vende të BE-së që kanë mbetur, e forcon pozicionin e Kosovës dhe e ndihmon normalizimin e raporteve. Unë jam mbështetës i mendimit se njohja nuk duhet të vijë pas marrëveshjeve ose normalizimit të raporteve me Serbinë, por duhet të ndodhë e kundërta. Njohja nga pesë vendet e BE-së, e ndihmon dialogun. Është ilaç për dialogun dhe e vë Serbinë në një pozicion ku nuk ka shumë hapësirë për të manovruar. Njohja nga pesëshja e BE-së pos që ndihmon në procesin e dialogut të Brukselit ndikon pozitivisht edhe jashtë kontinentit evropian”, ka theksuar Syla, tek shton se kjo ka ndikim në dy rrafshe – “bilaterale për të na njohur më shumë vende, por ndikon edhe në anëtarësim në organizatat e specializuara të OKB-së”.
Sipas tij, përgjegjësia kryesore u takon vendeve të BE-së të cilat zëshëm kanë thënë se do ta respektojnë vendimin e GJND-së.
“Por mënyra si është sjellë deri tash BE-ja mendoj se nuk ka qenë korrekte dhe fer”, thotë Ukshini.
Me gjithë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmoi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, Kosova nga viti 2012 pranoi të përfaqësohet në nisma rajonale me fusnotën që njeh edhe rezolutën 1244. Por ajo nuk u kishte hapur rrugë anëtarësimeve që ishin premtuar dhe sipas Sylës, BE-ja e keqpërdori atë.
“Merreni vetëm marrëveshjen e 24 shkurtit të vitit 2012 për përfaqësimin në organizata rajonale me fusnotë. Çfarë ka bërë BE-ja? Nga një marrëveshje për përfaqësim rajonal ballkanik e ka marrë dhe e ka avancuar në mënyrë të njëanshme në një marrëveshje të nivelit evropian. MSA-në dhe të gjitha marrëveshjet i ka përdorur me fusnotë që absolutisht nuk është fer dhe nuk është në frymën e marrëveshjes së 24 shkurtit të vitit 2012”, ka potencuar Ukshini.
Disfatat diplomatike
Përgjatë rrugëtimit drejt forcimit të pozicionit në arenën ndërkombëtare Kosova ka pësuar edhe disfata diplomatike. Dështimi për t’u anëtarësuar në UNESCO në vitin 2015 ishte cilësuar dështim më i madh diplomatik. Atëbotë një grup i madh shtetesh mike të Kosovës qenë angazhuar në fushatën lobuese, duke bërë që Ministria e Jashtme ta merrte thuajse punë të kryer anëtarësimin në UNESCO. Drejtues të shtabit lobues të angazhuar në proces madje ironizonin me ata që dyshonin në aftësitë e tyre se Kosovën nuk do të mund ta anëtarësojnë në UNESCO. Por në fund për tri vota Kosova nuk i arrit dy të tretat e domosdoshme. Kundër Kosovës në UNESCO votuan 50 shtete, ndërsa abstenuan 29 sosh, në mesin e tyre edhe vende që e kanë njohur shtetin, si Polonia e Japonia.
Gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në vitin 2019 ishte rikthyer në agjendë riaplikimi në UNESCO. Por më pas, qeveria u zmbraps pasi paraprakisht ishte tërhequr edhe nga aplikimi për anëtarësim në INTERPOL. Zmbrapsja u arsyetua për shkak të rrethanave të pafavorshme për Kosovën.
Kumtimi i lajmit nga Ministria e Punëve të Jashtme se nuk do të aplikonte në vitin 2019, erdhi vetëm pasi zyrtarët serb raportuan paraprakisht se Kosova nuk është në rend dite në UNESCO dhe se po punonin që kjo të mos ndodhë.
Asambleja e Përgjithshme e kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara mblidhet një herë në dy vite. Takimi i fundit është mbajtur nëntor të vitit të kaluar.
Në nëntor të 2018-s Kosova dështoi edhe në INTERPOL, në dy raundet e votimit që ishin zhvilluar. Në të parin, pro anëtarësimit votuan 76 vende anëtare, ndërkaq 56 ishin kundër. Në të dytin Kosova doli edhe më keq, me vetëm 68 vota pro, 51 kundër, ndërkaq 16 shtete abstenuan.
“Koha Ditore” pati publikuar një kabllogram që shpjegonte gjithë arsyet e dështimit të shtetit, për të siguruar mbështetjen rreth anëtarësimit në INTERPOL. Mungesa e përkrahjes arsyetohej edhe me efektet në proceset e ardhshme të anëtarësimit, që kishte shkaktuar dështimi për anëtarësim në UNESCO. Dhe, një tjetër problem ishte parë aplikimi i njëkohshëm me Palestinën.
Kosova e kishte tërhequr atëkohë aplikimin, por Palestina ishte anëtarësuar.
INTERPOLI është organizata ndërkombëtare më e madhe policore, e cila për qëllim ka krijimin e rrjeteve bashkëpunuese mes institucioneve të rendit në gjithë botën, me qëllim të ruajtjes së sigurisë. Kjo organizatë numëron plot 190 shtete anëtare.
Në Ministrinë e Jashtme nuk kanë treguar nëse do të ketë tentativë të radhës për të riaplikuar në UNESCO dhe INTERPOL.
E, Leonora Kryeziu vlerëson se duhet të shihet pse kanë ndodhur dështimet dhe të analizohen hapat e radhës.
“Duhet ta vlerësojmë situatën, cilat janë prioritetet sa i përket anëtarësimit. Ne jemi një shteti i ri, pa shumë përvojë, pa shumë kapacitete, prandaj duhet ta matim veten se cili është interesi vital i Kosovës për tu bërë pjesë e këtyre organizatave. Do të ishte shumë mirë nëse Kosova do të arrinte të bëhej anëtare e INTERPOL-it, edhe pse Kosova ka bashkëpunim me këto organizata në forma të ndryshme. UNESCO-ja po ashtu do t’i sillte shumë përparësi Kosovës. Mirëpo duhet të shihet se cilat janë prioritet, cilat kanë qenë gabimet dhe ku duhet të përmirësohemi në mënyrë që të kemi aplikime të suksesshme”, ka theksuar ajo. “Është ndërmarrje e madhe e shumë faktorëve në këto anëtarësime, si në UNESCO apo INTERPOL, prandaj na duhet përkrahja e partnerëve tanë. Duhet analizuar momentumi se ku të aplikohet. Partneriteti për paqe është shumë i rëndësishëm prandaj mendoj se do të duhej të ishte prioriteti i parë, të gjitha energjitë dhe forcat të koncentrohen në këtë organizatë”.
Ndërkaq Sylë Ukshini konsideron se pas Këshillit të Evropës do të krijohej momentumi për dy organizata tjera të rëndësishme.
“Nuk ka asnjë arsye që Kosova të mos anëtarësohet në OSBE, e cila është e pranishme këtu. Tjetra është INTERPOL-i pasi që nuk është organizatë politike por lidhet direkt me luftën kundër kriminalitetit dhe terrorizimit. Kosova është pjesë e kësaj platforme në kuptimin që është bashkuar në të gjitha forumet ndërkombëtare që e luftojnë kriminalitetin e terrorizimin. Kjo do të jetë e dobishme për rajonin dhe shtetet e tjera në kuptimin praktik. Në OSBE do të ishte mirë të anëtarësohemi, sepse edhe serbët nëse mendojnë se u shkelen të drejtat do ta kenë një adresë e fuqishme për t’i adresuar këto çështje”, vlerëson ai.
Anëtarësimi në NATO e OKB
Pas Bashkimi Evropian, anëtarësimi në NATO mbetet prioriteti i dytë më i rëndësishëm i jashtëm dhe i sigurisë. Kur Kosova aplikoi për anëtarësim në BE, kryeministri Albin Kurti tha se hapi i ardhshëm është nisja e procesit të aplikimit për anëtarësim në NATO, proces i cili mund të marr kohë pasi katër shtete anëtare vazhdojnë të mos ia njohin pavarësinë e Kosovës.
Aleanca Veri-atlantike nuk ia njeh ende as mandatin e ndryshuar FSK-s, që ka ndodhur në vitin 2018 përmes ndryshimeve ligjore.
Marrëdhënia e Kosovës me NATO-n vitet e fundit është dominuar nga menaxhimi i krizës në veri të vendit nga ana e KFOR-it, i cili është përgjegjës për të garantuar sigurinë sipas mandatit të OKB-së.
“Ngjarjet e Banjskës kanë treguar se raporti Kosovë-Serbi është çështje e sigurisë. Unë mendoj se sikur që kemi punuar për pavarësinë me dekada, pika mbi të cilën çdo takim duhet të përdoret çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duhet të jetë e pashmangshme. Duhet konsensus i brendshëm politik që në çdo takim, parlamenti, qeveria, presidenca, shoqëria civile, çështjen e anëtarësimit në NATO duhet ta kemi prioritet mbi prioritete”, ka thënë Sylë Ukshini.
E, anëtarësimi i Kosovës në OKB duhet të shkojë përmes një propozimi detyrues të Këshillit të Sigurimit. Për momentin kjo është e pamundur, sepse dy vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, Kina dhe Rusia, kanë një pozicion kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Veç OKB-së, Kosova nuk është pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe as e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Së fundmi kryeministri Kurti përmendi shtatë organizata ku Kosova u anëtarësua gjatë mandatit të tij, përfshirë Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP), Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe Shoqatën Evropiane të Kartës Rinore (EYCA).
Sipas Kryeziut, çdo anëtarësim është një shkëputje nga vetvetja dhe shteti duhet të dëshmojë seriozitet përballë obligimeve që merr përsipër.
“Do të presim epilogun mirëpo zotimet që Kosova i ka dhënë me anëtarësimin eventual në Këshillin e Evropës është e obliguar tu qëndrojë pas. Besoj se Kosova tregon pjekurinë dhe maturinë si shtet kur merr përsipër të zbatojë zotimet të cilat i kanë dhënë. Ky është një lloj reflektimi dhe serioziteti që ne tregojmë si akterë në politikën e jashtme ose në arenën ndërkombëtare. Ne kemi anëtarë të Këshillit të Evropës që janë shkelës edhe sot të shumë të drejtave, të shumë zotimeve që i kanë dhënë. Pastaj është çështja se si trajtohen këto vende dhe cili është imazhi i këtyre vendeve”, ka thënë ajo.
Deri tash Kosova e ka përfunduar me sukses mbikëqyrjen e pavarësisë, është bërë anëtare e Bankës Botërore, e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e edhe e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Po ashtu shumica e shtëpive sportive janë anëtare të federatave ndërkombëtare. Janë pikërisht sportistët që shënuan suksese në arenën ndërkombëtare duke i sjellë edhe medalje olimpike Kosovës, por “medaljet” diplomatike kanë munguar.