Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave veriore ka nxitur reagime të zyrtarëve të institucioneve e të partive opozitare. Përderisa presidentja Vjosa Osmani këtë proces e ka konsideruar si një të drejtë të lejuar ligjërisht, në partinë kryesore në opozitë kanë thënë se peticioni është i dirigjuar nga Beogradi dhe i aprovuar nga kryeministri Kurti
Procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar të mërkurën si një të drejtë ligjore që e kanë qytetarët e vendit. Si e tillë, ajo ka thënë se duhet të respektohet.
“Siç e dini ligjet e Republikës së Kosovës lejojnë një procedurë të tillë, e cila pastaj është specifikuar edhe në Udhëzimin Administrativ të miratuar së fundmi nga ministria përkatëse. Pra, është një e drejtë që u takon qytetarëve të të gjitha komunave. Rrjedhimisht në këtë rast qytetarët e komunave në veri të vendit janë duke e shfrytëzuar këtë të drejtë. Është me rëndësi të respektohen procedurat, por si shtet demokratik që jemi, që i respektojmë të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie, natyrisht edhe kjo e drejtë duhet të respektohet”, ka deklaruar presidentja Osmani, pasi bëri homazhe para bustit të heroit Kadri Zeka.
Ndryshe këtë proces e kanë parë zyrtarët e subjektit kryesor në opozitë, Partisë Demokratike.
Betim Gjoshi, anëtar i kryesisë së kësaj partie, ka shkruar në Facebook se fotografitë nga Mitrovica e Veriut, ku qytetarëve serbë të cilët po nënshkruajnë peticionin po u prijnë Goran Rakiqi e Igor Simiqi, janë dëshmi e qartë se gjithçka është në koordinim të plotë me kryeministrin Albin Kurti.
“Do të mbahet mend përgjithmonë se ky proces është i dirigjuar nga Beogradi dhe ka aprovimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, partia e të cilit është zënë duke u koordinuar në prapaskenë me Listën Serbe e superkriminelin Milan Radoiçiq. Kryeministër, nuk ka nevojë as për pyetje dhe as për sqarime. Gjithçka po duket e qartë si kristali: Ju jeni në koordinim me Beogradin dhe Listën Serbe. Kryeministër, fotografitë nga veriu i Kosovës tregojnë koordinimin dhe marrëveshjen tënde, që t’ua merrni mandatin kryetarëve që nuk janë të Listës Serbe”, ka shkruar Gjoshi.
Edhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme në Qeverinë Haradinaj, Meliza Haradinaj-Stublla, ka theksuar se ky proces është i koordinuar nga kryeministri Kurti.
“Kryeministër, fotografitë nga veriu i Kosovës tregojnë koordinimin dhe marrëveshjen tënde, që t’ia merrni mandatin kryetarëve që nuk janë të Listës Serbe. Pasojë e qartë e mospërcaktimit të Listës serbe si organizatë terroriste nga institucionet tona do të jetë rikthimi i saj në pushtet në komunat veriore të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj-Stublla. “Pra, sulmi në maj 2023 ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës, gazetarëve dhe gjithashtu agresioni i tmerrshëm terrorist në Banjskë i organizuar dhe ekzekutuar nga Radoiçiqi i Listës serbe (nën drejtimin e Vuçiqit) që la të vrarë heroin Afrim Bunjaku – të gjitha duhet ‘të harrohen dhe heshten’. Mos të harrojmë që Ura e Ibrit ende nuk bashkon por ndan dhe Asociacioni po na pret në pragun e shtëpisë. Rietablimi i organizatës kriminale Lista Serbe në komunat veriore pas gjithë tmerrit që ndodhi vitin e kaluar – do të jetë fatale për Kosovën”.
Të mërkurën qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe ata të Leposaviqit kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve që ishin zgjedhur vitin e kaluar, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë.
Por, ish-drejtori i Zyrës Ligjore në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Shkëlqim Jakupi, ka thënë se peticioni po organizohet nën presion, e sipas tij, këtu kanë ndikuar organizatat politike të shtetit serb dhe organizatat kriminale.
Ai ka theksuar të mërkurën në emisionin “60 Minuta” të KTV-së se nënshkrimi i peticionit duhet të bëhet me vullnetin e lirë të qytetarëve, e sipas tij, ka qytetarë serbë që janë të pakënaqur me tërë procesin.
“Nënshkrimi i peticionit apo çfarëdo peticioni duhet të bëhet me vullnetin e lirë e pa kushtëzime nga askush tjetër. Nëse qytetari s’e ka shprehur vullnetin për kryetarë e as për peticion, nëse ka nënshkruar nga kërcënimi i dikujt, duhet t’i paraqesin rastet në forma të ndryshme që të kontestohet nënshkrimi i tyre e të mos tjetërsohet vullneti i tyre”, ka theksuar ai.
Sipas Jakupit, udhëzimi administrativ për peticionin për largimin e kryetarëve të komunave është i qartë dhe ka hapësira për lehtësimin e procedurave, e siç ka thënë ai, disa procedura janë edhe përtej udhëzimit.
I pyetur se a mund të arrihet përqindja e nevojshme në peticion, Jakupi është shprehur skeptik.
“Varësisht nga interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në këtë proces, mund të arrihet përqindja e përcaktuar për largimin e kryetarëve, por disa qytetarë serbë janë shprehur të pakënaqur me veprimet e kryetarëve serbë që dhanë dorëheqje dhe e sollën këtë proces. Nëse qytetarët hezitojnë të marrin pjesë, e dinë se vendimi i kryetarëve të veriut ishte vendim i orkestruar nga Serbia. Lista Serbe mund t’i lërë sërish qytetarët e veriut pa shërbime”, ka potencuar ai.
Bazuar në udhëzimin administrativ, peticioni për të iniciuar shkarkimin e kryetarit është i vlefshëm nëse atë e nënshkruajnë së paku 20 për qind të trupës votuese. Nëse kjo arrihet, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit. E për ta hequr nga funksioni të parin e komunës, kërkohet të votojnë më shumë se gjysma e trupës votuese të komunës.