Nxënësit e gjimnazit “Hamdi Berisha" të Malishevës sot kanë protestuar rreth rastit të dyshuar për ngacmim seksual ndaj një nxënëseje të klasës së dhjetë.
Nxënësja ka raportuar se para pak ditësh është ngacmuar seksualisht nga zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, A.K.
Nxënësit me pankarta në duar kanë protestuar në objektin e shkollës edhe jasht tij, me thirrje "marre, marre" e pankarta të ndryshme.
Derisa zëvendësdrejtori i dyshuar është arrestuar dhe tashmë i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Të mërkurën me një reagim rreth rastit ka dalë edhe Komuna e Malishevës.
"Komuna e Malishevës, e dënon ashpër rastin që ka ndodhur ditë më parë në Gjimnazin 'Hamdi Berisha', në Malishevë, rast për të cilin jemi njoftuar nga ana e organeve përgjegjëse", thuhet në reagimin e komunës. "Komuna e Malishevës, vlerëson se aktet e tilla janë të papranueshme dhe ju bëjmë thirrje organeve kompetente, që angazhimin për zbardhjen e rastit ta çojnë deri në fund. Gjithsesi, Komuna e Malishevës, karshi situatave të tilla, për asnjë moment nuk do të jetë tolerante dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që aktet e tilla mos të përsëritën më".