Më shumë se një mijë nxënës të shkollës fillore “Naim Frashëri” në Podujevë tash e një vit nuk kanë ku t’i zhvillojnë orët e edukatës fizike. Në vendin ku ishte fusha sportive ka nisur ndërtimi i sallës së edukatës fizike, por punimet në të janë ndërprerë. Përpos pa palestër, objekti i ri i shkollës është më i vogël sesa ai i vjetri.
Një fushë e improvizuar me më pak se 100 metra katrorë shërben për mbajtjen e orës së edukatës fizike për më shumë se një mijë nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Podujevë. Por, edhe kjo mund të shfrytëzohet vetëm kur moti e lejon.
Tafil Thaçi është drejtor i shkollës dhe thotë se kur e ka marrë këtë pozitë para një viti, ka qenë fusha e futbollit, por ajo është prishur për t’i bërë hapësirë sallës së edukatës fizike që ka nisur të ndërtohet tetorin e vjetëm nga Ministria e Arsimit.
“Kemi vështirësi të mëdha për mbajtjen e orës së edukatës fizike. Ju e patë sigurisht jashtë se në çfarë kushtesh të rënda jemi duke e mbajtur lëndën e edukatës fizike”, ka thënë Thaçi.
Objekti i vjetër i kësaj shkollë e kishte sallën e sporteve, fushën e futbollit dhe më shumë dhoma mësimi sesa objekti i ri, i cili është financuar nga Komisioni Evropian.
Në Zyrën e BE-së thanë se përgjegjësinë për kapacitetin e objektit ia kanë bartur Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Në një përgjigje dhënë KOHËS, thuhet se projekti paraprak, në të cilin janë vendosur kapaciteti dhe konfigurimi i shkollës, ishte mbështetur kjo Ministri dhe se në vitin 2013 shkolla ishte paraparë për 850 nxënës.
“Kompania ‘INGEDIA SA Groupe NOX - NOX International - WSP Group’ e ka përgatitur projektin paraprak, ndërsa kompania ‘ALtrade shpk - GM Architecture’ e ka përgatitur projektin e detajuar për shkollën e re. Çmimi i kontratës për projektin e detajuar dhe ndërtimin ishte 691.000 euro. Shkolla është ndërtuar në periudhën nga korriku 2014 deri në dhjetor 2016. Projektin paraprak në të cilin u vendosën kapaciteti dhe konfigurimi i shkollës e mbështeti Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Sipas informatave tona, në vitin 2013 shkolla ishte paraparë për 850 nxënës”, thuhet në përgjigje.
E në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS për këtë projekt.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, thotë të mos e di arsyen se pse është ndërtuar më i vogël ky objekt sesa i vjetri dhe pa sallë të sportit.
“Realisht është zvogëluar hapësira e mësimit në këtë shkollë dhe si pasojë e kësaj, sot e kësaj dite kjo shkollë është pothuajse prej të vetmeve shkolla fillore në qytetin e Podujevës që mësimi zhvillohet me 3 ndërrime për shkak të mungesës së hapësirave shkollore. Këtë vit kemi diskutuar bashkërisht me Drejtorinë e shkollës edhe me Drejtorinë e Arsimit për të parë mundësinë e zgjerimit të hapësirës për mësimdhënie brenda këtij objekti shkollor”, ka thënë Bulliqi.
Në tetorin e vitit të kaluar, Ministria e Arsimit e ka nisur ndërtimin e sallës së edukatës fizike në këtë shkollë, por sipas afatit të paraparë, ky projekt nuk pritet të përfundojë deri në tetor të vitit 2024. Punimet ka disa muaj që janë ndërprerë e në Ministri nuk i treguan arsyet pse ka ndodhur kjo.
Përkundër mungesës së fushës dhe sallës së edukatës fizike, drejtori Tafil Thaçi thotë se nxënësit e kësaj shkollë në garat komunale e kanë zënë vendin e parë në futsall, basketboll dhe shah.