Testimi i sivjetmë i PISA-s do të zhvillohet online e kjo është vlerësuar sfidë për shkollat që përballen me mungesë të infrastrukturës teknologjike. Vështirësi tjetër për këtë testim, sipas vetë nxënësve, është mungesa e njohurive praktike për sfidat mjedisore dhe ndryshimet klimatike, tema këto që do të jenë në qendër të testimit
Ruajtja e mjedisit është ndër gjashtë shtyllat kryesore të Kurrikulës Bërthamë për institucionet arsimore parauniversitare.
E këtë vit pyetjet në testin ndërkombëtar PISA, që janë në formatin e vlerësimit të shkathtësive të nxënësve për të zgjidhur probleme të jetës reale, do të përqendrohen pikërisht në adresimin e problemeve rreth ndryshimeve klimatike dhe sfidave mjedisore.
Por nxënësit kanë rezerva lidhur me këtë.
Drit Krasniqi, nxënës në gjimnazin “Sami Frashër”, ka thënë se për çështjet mjedisore shpjegohet vetëm në mënyrë sipërfaqësore.
“Disa nga informatat dhe struktura që janë aplikuar, ndonëse nuk janë aplikuar në atë masën eksponenciale, që me të vërtetë nxënësit t’i marrin këto informata dhe t’i aplikojnë në përditshmëritë e tyre. Kanë qenë elementare dhe sipërfaqësore, ndonëse një lëndë e cila do të aplikohej në sistemin mësimor, e cila është lëndë obligative dhe jo zgjedhore, besoj se do të kishte një impakt në edukimin e shoqërisë sonë mbi ruajtjen e mjedisit”, ka thënë ai.
Por drejtori i Institutit Pedagogjik të Kosovës, Osman Buleshkaj, këtë nuk e sheh si problem, meqë thotë se testimi do të vlerësojë mënyrën se si mësojnë nxënësit dhe jo se çfarë mësojnë ata.
Vështirësi për këtë vit ai e ka cilësuar zhvillimin online të testit.
“Vështirësi është që testi do të zhvillohet online. Do të thotë ky është elementi dhe unë mendoj, shpresoj do të jem gabim që s’do të na ndikojë shumë në rezultat dhe mundësitë që kanë shkollat janë të kufizuara, përdorimi i teknologjisë i integruar në mësimdhënie dhe në vlerësim nuk është shumë dominues për faktin se nuk ekziston infrastruktura mbështetëse për këtë proces, nuk mjafton një tabelë e mençur, vetëm një qasje në internet”, ka thënë Buleshkaj.
Këtë vit testimi do të jetë adaptues, pasi pyetjet do të përshtaten varësisht nivelit të përgjigjeve të para nga nxënësit.
Kosova për herë të katërt do të jetë pjesëmarrëse në testimin që organizohet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Nxënësit do t’i nënshtrohen testimit me pyetje në fushën e shkencës, matematikës, leximit dhe të jetuarit në botën digjitale.
Në tri testet e kaluara nxënësit kosovarë kanë dalë ndër më të dobëtit.