Arbëri

Nxënësit bashkë me policinë i demonstrojnë rregullat e komunikacionit

Drejtoria Komunale e Arsimit në Lipjan, në bashkëpunim me policinë dhe me shkollën fillore “Kadri Beba” në fshatin Ribar i Madh e vunë në zbatim projektin që e synon përgatitjen e nxënësve për mënyrën e sjelljes gjatë lëvizjes në rrugë.

Aktiviteti u zhvillua pas dhjetëra rasteve të lëndimit të nxënësve nga goditjet prej veturave, gjatë viteve të fundit. Në kuadër të tij, një pjesë e nxënësve i demonstruan rregullat e trafikut rrugor teksa vozitësve iu përçua mesazhi për kujdes gjatë ngasjes.

E Bedri Limani, shef i operativës në Stacionin e Policisë në Lipjan, u dha udhëzime specifike nxënësve.

“Kur ju i shihni vijat e bardha e keni të drejtën që të kaloni, por duhet të keni sërish kujdes, sepse mund të ketë vetura që lëvizin shpejt”, ka deklaruar Limani.

Organizatori i aktivitetit, Burim Kozhani, njëherësh mësimdhënës në shkollën “Kadri Beba”, theksoi se nëpërmjet këtij projekti nxënësit fitojnë njohuri të shumta në fushën e komunikacionit.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është se si të mbrohen nxënësit dhe të jemi të sigurt në rrugë. Nxënësit në të ardhmen do të bëhen si qytetarë të sjellshëm dhe të ndershëm në rrugë. Pastaj, si çiklistë të mirë dhe si çiklistë apo shoferë të mirë në rrugë në të ardhmen. Kjo është një nismë e mirë dhe shpresoj që më 1 shtator të dalë një tekst i veçantë për këtë fushë dhe të improvizohen shumë kënde të sigurisë rrugore në secilën klasë në Kosovë”, është shprehur Kozhani.

E drejtori i Arsimit në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani, e theksoi rëndësinë e projektit për sigurinë e nxënësve nëpër rrugë.

“Është me rëndësi edhe tema për shkak të problemeve që i kemi në komunikacion, të cilat po ndodhin çdo ditë në komunikacion, andaj është shumë e rëndësishme dhe e qëlluar tema dhe i inkurajoj edhe shkollat e tjera që të merren me aktivitete të tilla demonstruese në mënyrë që të kemi një rini vërtet të edukuar dhe të emancipuar, e cila i di rregullat dhe ligjet”, ka theksuar Hasani.

Sipas organizatorëve, projekti do të praktikohet edhe në shkolla të tjera të komunës.