Arbëri

Nushi: Programet s’kanë qenë kurrë pika kryesore për votuesit në Kosovë

Nol Nushi - ne 60 Minuta te KTV-se

Anëtari i PSD-së, Nol Nushi, ka thënë se programet me të cilat partitë politike në Kosovë garojnë në zgjedhje, kurrë nuk kanë qenë pika kryesore në të cilën janë bazuar votuesit. 

Nushi në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se nuk është shumë më ndryshe as në shtetët tjera në Ballkan. 

"Besoj se programet s’kanë qenë kurrë pika kryesore që njerëzit kanë votuar në Kosovë...Arsyeja kryesore është besimi që kanë te ai person, ai subjekt, apo ideja e madhe që ata përfaqësojnë. Prandaj edhe kjo çështje programore bëhet shpesh shkel e shko. Shpejt e shpejt vetëm sa mos të thotë dikush se nuk ke program. Këtu VV-ja është tregu ma e pafytyrë me votuesit, sepse për gjysmën e fushatës zgjedhore s’ka publiku fare program”, ka thënë Nushi në “60 Minuta” të KTV-së. 

Ai ka thënë se gjitha partitë po “hiperbolizojnë” në fushatë zgjedhore. 

Nushi ka thënë se gjitha partitë po mundohen ta shmangin temën e dialogut me Serbinë, porse ai është “elefanti në dhomë”. 

“Ky është elefanti në dhomë. Po bëhet fushatë nga gjitha partitë dhe nuk e përmendin asnjëherë dialogun. Kurti tha në vitin 2021 se e ka prioritet të shtatë, por tërë mandatin e tij ishte në bisht të aeroplanit Bruksel – Kosovë, Bruksel – Kosovë, për raunde të pafundme të negociatave. Përfunduam te një marrëveshje, që është më e keqja që e ka bërë ndonjëherë ndonjë qeveri e Kosovës karshi dialogut me Serbi. Plani franko-gjerman, aneksi i Ohrit dhe drafti i Asociacionit...Nuk është më ajo ‘Zajednica’ që kemi protestuar, por është ‘Super Zajednica’. Tash është kusht i joni themeltar për integrimin tonë në çfarëdo institucioni evropian”, tha Nushi. 

PSD-ja ka dorëzuar të hënën në Prokuroi letrën që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ia kishte drejtuar komandantit të KFOR-it. Në letër ishte garantuar se FSK-ja do ta respektojë zotimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, për të mos dërguar FSK-në në veri pa koordinim paraprak me KFOR-in. 

“Është një letër shfajësuese që ministri Maqedonci ia dërgoi komandantit të KFOR-it në Kosovë. I kërkon falje qindra herë për atë gabim, siç e quan ministri, ku një togë e FSK-së mori pjesë në varrimin e një veterani në një fshat në veri të Kosovës. Në mesin e kërkimfaljeve, z. Maqedonci e ripërsërit zotimin që do t’i qëndrojmë pas letrës së Hashim Thaçit, e cila për Kurtin ishte tradhti kombëtare”, tha Nushi. 

Nushi ka thënë se kanë pasur informata se pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, KFOR-i kishte lejuar një ekip të specializuar të FSK-së për katastrofa natyrore që të shkonte në veri, por ishte refuzuar nga Qeveria e Kosovës, pasi “donte të dërgonte forca të armatosura në veri”. 

Nushi ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se “ka shkaktuar probleme të sigurisë dhe e ka kthyer Kosovën në një ‘hot spot’ të sigurisë’”. 

“Kjo i ka kushtuar shumë Kosovës në ecjen normale të konsolidimit si shtet. Nuk po njihemi tash si shtet që po kërkon njohje ndërkombëtare, por si shtet që shkakton kriza të sigurisë. E të shkaktosh sot kriza të sigurisë...është si me ndihmu me dërgu ujë në mulli të atyre që e duan këtë”, tha Nushi. 

Ai tha se “Qeveria ka tentuar që çështjen e veriut ta zgjidhë përmes forcave policore” dhe se Kurti nuk ka zhvilluar dialogun me serbët lokalë siç ka premtuar.