Adri Nurellari, studiues i shkencave shoqërore, e ka quajtur të pafalshme ftohjen e raporteve zyrtare të qeverive në Kosovë e Shqipëri.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Nurellari ka thënë se qëndrimi krah më krah i kryeministrave, Albin Kurti i Kosovës dhe Edi Rama i Shqipërisë, në shënimet e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë e që bëri bujë të enjten, ka qenë veprim i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.
“Por s’tregon asgjë më shumë e është fatkeqësi që gjendemi sot në marrëdhënie kaq të ftohtë të dy shteteve që i përkasin një kombi. Kjo është gjë e pafalshme sidomos duke pasur parasysh se Kurti dhe partia e tij për dekada me radhë kanë propaganduar idenë e bashkimit kombëtar. Dhe pikërisht qeveria e tij është ajo me marrëdhëniet më të ftohta me Tiranën prej çlirimit”, ka thënë ai.
Nurellari ka thënë se për dallim nga institucionet, qytetarët po e tregojnë të kundërtën – sidomos me rritjen e këmbimeve tregtare.
“Pra në njërën anë kemi qeveritarë të papërgjegjshëm që për arsye nga më të ndryshme refuzojnë t’i përgjigjen interesit dhe dëshirës së natyrshme të popullit për bashkim, integrim, për thellim të bashkëpunimit në çdo sferë, dhe kemi qytetarët nga ana tjetër që po integrohen e konsolidojnë ndërveprimin ekonomik si ndër sferat ku dallohet kjo gjë”, ka thënë ai.
Njollë në këtë përvjetor ai e ka vlerësuar mbajtjen në paraburgim të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.
Tek ka kritikuar kryeministrin Kurti për ndërhyrje në zgjedhjet e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut dhe të Luginës së Preshevës, Nurellari ka deklaruar se ai është i ngjashëm me Ramën në sjellje.
“Fatkeqësisht dy anët e kombit qeverisen nga dy liderë kapriçozë, me ndjeshmëri të kufizuar për interesat e shqiptarëve. Me dell patriotik që e përdorin vetëm kur u leverdis para fushatave elektorale dhe të cilët janë të gatshëm të shkelin mbi interesat e vullnetin e qytetarëve të tyre për inate të ngushta meskine personale apo ambicie të karrierës individuale. Qoftë Kurtin, qoftë Ramën i shoh të ngjashëm në sjelljen e tyre. Jemi një edhe në fatkeqësi për të pasur liderë kaq të papërgjegjshëm”, ka thënë ai.