Arbëri

Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë fillon nga ora 16:00

Vota - zgjedhjet 2025

Foto: Driton Paçarada

Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë do të fillojë të martën nga ora 16:00, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KOHËN se numërimi do të fillojë në qendrat e numërimit në Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh.

Derisa në qendrat tjera do të fillojë pas përgatitjeve të duhura teknike dhe administrative.

“Sot në orën 16:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon të fillojë numërimin në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh. Procesi i numërimit në Qendrat tjera do të fillojë pasi të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura teknike dhe administrative”, ka thënë ai.

Ai tutje ka bërë të ditur se arsyeja që ende nuk janë publikuar rezultatet për 0.83% të vendvotimeve, përfshirë ato për subjektet politike, është se materiali zgjedhor, përfshirë formularët e rezultateve, është vendosur brenda kutive të votimit dhe jo mbi to, siç parashihet me procedurë.

“Arsyeja pse ende nuk janë publikuar rezultatet preliminare për subjektet politike nga 21 vendvotime apo 0.83% e tyre është se pas numërimit të votave të subjekteve politike, materiali zgjedhor, përfshirë edhe formularët e rezultateve, janë vendosur brenda kutive të votimit dhe jo mbi to, siç e parashihet me procedurë. Andaj, të dhënat nga këto vendvotime nuk mund të përditësohen tani, pasi hapja e kutive të votimit nuk mund të bëhet në këtë fazë, por vetëm kur të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë”, ka thënë ai.