Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i atyre për subjekte politike është drejt fundit. Të enjten, votat kanë vazhduar të numërohen në shtatë komuna. E, shkaku i telasheve mes përfaqësuesve të subjekteve politike, në qendrën më të madhe të numërimit në Prishtinë janë ndërmarrë masa kufizuese
Shirita të sigurisë mes grupeve të vëzhguesve të subjekteve politike janë vendosur të enjten në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, nëpërmjet të cilave në sallën 1 tetori është kufizuar lëvizja nga një grup te tjetri.
Veprimi është ndërmarrë pas diskutimeve që janë zhvilluar midis përfaqësuesve të partive politike në lidhje me shpalljen apo jo të pavlefshme të një vote. Për kufizimin, komisionerët dhe vëzhguesit nuk kanë pranuar të deklarohen, porse janë ankuar për vështirësi në kryerjen e detyrave që i kanë.
Kjo qendër ka numrin më të madh të vendvotimeve nga të gjitha komunat, e të enjten numërimi është zhvilluar në 13 tavolina.
Procesi i numërimit të votave në Prishtinë ka nisur nëntë ditë më parë, më 11 shkurt. Nga 258 vendvotime sa ka gjithsej, deri më datën 19 janë numëruar 187 sosh derisa të papërfunduara kanë mbetur 71.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të publikuara në mëngjesin e së enjtes, përveç Prishtinës, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe njëkohësisht edhe verifikimi i atyre për subjekte politike është duke vazhduar edhe në 6 komuna të tjera.
Në bazë të tyre, deri të mërkurën pa numëruar kanë mbetur edhe 184 vendvotime, por që ky numër mund të ndryshojë nga procesi që do të zhvillohet gjatë ditës.
“Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat është duke vazhduar apo ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës deri më 19 shkurt 2025 janë numëruar 92.73% e vendvotimeve apo 2,349 nga 2,533”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Procesi i numërimit ka përfunduar në 31 komuna, ndërkaq përveç në kryeqytet është duke vazhduar edhe në Leposaviq, Pejë, Podujevë, Prizren, Ferizaj dhe Zveçan.
Në Pejë pa numëruar deri të enjten kanë qenë 57 kuti derisa që nga 14 shkurti, kur ka nisur ky proces, janë përfunduar 75.
Në Prizren kanë mbetur pa u numëruar 18 vendvotime nga 236 sa i ka gjithsej kjo komunë, në Leposaviq ende nuk janë numëruar 14 derisa janë përfunduar 12 vendvotime, përderisa në Podujevë nga 110 vendvotime sa kanë qenë gjithsej, të panumëruara kanë mbetur 11 syresh kurse një më pak ka mbetur pa numëruar në Ferizaj, komunë kjo që në total ka pasur 152 vendvotime për t’u numëruar. E në Zveçan të enjten pa numëruar kanë qenë edhe 3 vendvotime derisa nga 12 shkurti janë numëruar 8.
Nga e enjtja, rezultatet e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë kanë nisur të publikohen edhe në platformën online të KQZ-së.