Kanë ngarkuar mallin dhe që në mëngjes ia kanë mësyrë qendrave tregtare dhe marketeve në Bulevardin “Bill Clinton” dhe në “Rrugën B” gjithashtu.
Në vitin 2022 kryetari Përparim Rama pati lëshuar një vendim në bazë të të cilit furnitorëve që bëjnë shpërndarjen e produkteve të iu ndalohet hyrja në qendër të qytetit pas orës 8:00 të mëngjesit.
Për zbatimin e këtij vendimi është Inspektorati i qytetit, i cili nuk po kujdeset për këtë vendim.
Drejtori i Inspektoratit, Florian Dushi, thotë se për faktin që në vendimin e kryetarit nuk është e përcaktuar edhe gjoba për shkelësit, po e kanë të pamundur implementimin e tij.
Moszbatimin e këtij vendimi e dënon edhe opozita. Besart Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se ky vendim ka qenë në vend dhe se neglizhenca e tij, është papërgjegjësi totale e Inspektoratit të qytetit.
Në vendimin e Ramës thuhet se kjo gjë po bëhet për të parandaluar trafikun e shumtë në kryeqytet.
Se furnitorët e bllokojnë komunikacionin e thotë edhe eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti. Sipas tij, në të gjithë botën furnitorët nuk lejohen të hyjnë në qendrën e qytetit në kohën kur të gjithë shkojnë në punë ose shkollë.
Më vonë kryetari Rama së bashku me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë kishin bërë rishikimin e këtij vendimi.
Sipas plotësim-ndryshimit të vendimit të ri të nënshkruar në nëntor të vitit 2023, shpërndarja e furnizimit me mallra për subjektet afariste nëpër periferi të qytetit bëhet nga ora 10:00 deri në orën 15:00 dhe nga ora 18:00 deri në orën 07:00.