Arbëri

Nuk votohet propozimi i rektorit për gradën e Hasanit

Është shtyrë për në dhjetor, votimi për uljen e gradës akademike të profesorit dhe ish-rektorit të UP-së, Enver Hasanit. Senatorët nuk i dhanë mbështetje për këtë rektorit dhe kërkuan më shumë kohë. Ata vendosën të krijohet një komision hetimor për procesin e avancimit akademik të profesorëve që ishin në pozitën e rektorit

Senatorët e Universitetit të Prishtinës refuzuan që të votojnë për gradën akademike të profesorit në Fakultetin Juridik, Enver Hasani.

Në shtator, Këshilli i Etikës ka rekomanduar që ish-rektorit t’i ulet thirrja akademike nga profesor i rregullt në atë të asociuar. Por Hasani e ka kontestuar ligjshmërinë e vendimit dhe ka akuzuar ish-kryetarin e Këshillit, Iset Morina, për hakmarrje dhe për konflikt interesi gjatë vendosjes në këtë rast.
E, meqë ka skaduar koha e vendosjes në Senat konform kërkesës së Këshillit të Etikës, rektori Arben Hajrullahu kërkoi që të votohet anulimi i vendimit të vitit 2009 kur Hasani u avancua në periudhën sa mbante pozitën e rektorit.

“Në qoftë se ne si universitet, si senat, si trupë kolegjiale, për të shpëtuar me faqe të bardhë, në qoftë se ne nuk e bëjmë këtë, kjo do të bëhet përmes udhëve të tjera ligjore dhe ne do të ngelim kolegjium me faqe të zezë... paramendoni ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese bën kësi shkelje ligjore”, ka thënë Hajrullahu. 

Paraprakisht, Hasani i ka shkruar rektorit Hajrullahu, të cilit i ka kërkuar që rasti të mos trajtohet, pa dhënë përgjigje Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ku e ka denoncuar ish-kryetarin e Këshillit të Etikës.

“Në këtë rrethanë, vënia në rend të ditës e rekomandimit të Iset Morinës, akoma pa pritur vendimin/opinionin e APK-së është abuzim me ligjin dhe tërheq përgjegjësi penale për çdokënd që vepron në kundërshtim me ligjin”, thuhet në shkresën e Enver Hasanit. 

Çështja është shtyrë për mbledhjen e ardhshme, meqë senatorët kërkuan më shumë kohë për ta shqyrtuar propozimin e rektorit.

E po në këtë mbledhje u krijua një komision ad-hoc, për të hetuar proceset e avancimit të të gjithë rektorëve të UP-së.

Ndërkaq me afër dy muaj vonesë, Senati arriti të funksionalizojë Këshillin e Etikës. Këshilli i miratuar të mërkurën përbëhet nga Flamur Hyseni, Rajmonda Nallbani-Komoni, Qëndrim Gashi, Safet Merovci e Furtuna Sheremeti.

KOHA pati raportuar se disa profesorë kanë refuzuar të bëhen anëtarë të Këshillit. E, sipas senatorëve, refuzimi është bërë pas kritikave që morën përbërja e shkuar e Këshillit, për rastet e trajtuara për profesorët që janë denoncuar nga studentët për ngacmim seksual. Në shumë raste, anëtarët kanë shkelur afatet ligjore për trajtimin e denoncimeve.