Zbatimi i Udhëzuesit për ndalimin e telefonave celularë në institucionet parauniversitare, është vlerësuar si “problematik” nga disa drejtues shkollash. Megjithëse ka hyrë në fuqi në vitin 2018, vetëm sivjet një komunë ka filluar zbatimin e plotë të tij. Ndërkaq, gjatë vizitës në disa shkolla të kryeqytetit, është vërtetuar shpërfillja e këtij dokumenti
Nuk ka gjetur zbatim Udhëzuesi i Ministrisë së Arsimit që e ndalon përdorimin e telefonave celularë nga nxënësit, mësimdhënësit, stafi profesional e punëtorët e tjerë në institucionet e arsimit parauniversitar. Ani pse ka hyrë në fuqi në vitin 2018, ai nuk është respektuar në të gjitha shkollat e Kosovës.
Drejtori i gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë, Haxhi Metaj, thekson se ky Udhëzues është vështirë i zbatueshëm.
“Çështja e telefonave është çështje komplekse dhe është bukur problematike, sepse varet prej numrit të nxënësve. Na kemi një numër jashtëzakonisht të madh të nxënësve. Vitin e kaluar na e kemi bërë një zgjidhje, e cila besoj ka qenë shumë funksionale. Domethënë, nxënësit në orën e parë i kanë vendosur telefonat secila klasë në klasën e vet, ka qenë kasaforta dhe në orën e gjashtë i kanë marrë. Njëjtë ka ndodhur edhe për mësimdhënës, të gjithë i kanë vendos në kasafortën e tyre në sallën e arsimtarëve, përveç natyrisht stafit drejtues që ka lëvizje”, ka thënë Metaj.
Por, prejse ka nisur rinovimi i objektit të shkollës dhe mësimin e zhvillojnë në Gjimnazin “Sami Frashëri”, praktika nuk aplikohet.
“Mendoj që Udhëzuesi është bukur problematik, sepse është problem me i thanë prinditt fëmija mos me pas fare telefon, për shkak se tash edhe interesimi me dit a ka mbërri në shkollë, s’ka mbërri në shkollë, i ka ndodhë diçka... Nuk është si ne përpara që kemi ardhë në shkolla. Po them është tepër problematik. Unë nuk e besoj që ky Udhëzues mund të jetë funksional”, ka theksuar Metaj.
Ndërkaq, Visar Osmani, drejtor i Shkollës fillore “Emin Duraku” në kryeqytet, thotë se përjashtimisht disa nxënësve që udhëtojnë jashtë Komunës së Prishtinës, të tjerët nuk i marrin me vete telefonat. Por, sipas tij, edhe ata telefona që i marrin nxënësit, janë pa kamera.
“Unë them me përgjegjësi të plotë se udhëzuesi në fjalë i Ministrisë së Arsimit zbatohet në shkollën tonë afër 100 për qind, sepse deri në një periudhë kur kemi pas mungesë të pajisjeve teknologjike nëpër klasë, mësimdhënës të caktuar e kanë përdor, sidomos gjuha angleze, telefonin e kanë përdor edhe cikli i ulët 1-5, e kanë përdor për njësi mësimore, për hulumtim apo rreth mësimit”, ka thënë drejtori Osmani. “Por, meqë ne jemi të pajisur në çdo klasë me projektor, me televizor dhe me laptop, Udhëzuesi në fjalë zbatohet qind për qind si nga ana e nxënësve, edhe nga ana e mësimdhënësve. Përjashtim bëjnë disa nxënës që udhëtojnë prej jashtë Komunës së Prishtinës dhe që ua kemi lejuar mbajtjen e telefonave, por jo android, pa kamerë dhe i lënë në një vend të caktuar. Kur përfundon mësimi i marrin dhe komunikojnë me prindërit e tyre. Domethënë, nuk ka ndonjë rast që mund ta cekim që është thyer kjo rregullore apo Udhëzuesi”.
Megjithatë, drejtori Osmani nuk i ka hapur dollapët për ta dëshmuar nëse mësimdhënësit i vendosin telefonat aty. Arsyetimi i tij ka qenë se mësimdhënësit i kanë çelësat dhe se aty mund të kenë edhe gjëra tjera personale. E për nxënësit thotë se u janë konfiskuar telefonat kur nuk kanë respektuar Udhëzuesin.
“Masa ndaj nxënësve në fillim normal që ka pas. Unë jam qe 3 vjet këtu, në gusht i bëj 3 vjet dhe në momentin që ekziston një dokument i tillë ne jemi të thirrur ta zbatojmë me përpikëri. Po, ka pasë masa. Kam konfiskuar telefona, i kam dorëzuar te organet, ajo është shkelje. Domethënë prindërit në një formë janë vetëdijesuar, nëse merr ndonjë masë më radikale, ajo ka qenë një mesazh që nuk ka tolerim. Dhe më nuk ka ndodhë”, thotë drejtori i Shkollës “Emin Duraku”. “Ka pasur vërejtje, qortime, më nuk ka ndodhë. Po sa i përket stafit, thash edhe më herët, deri në momentin kur i kemi siguruar, domethënë i kemi pajisë, e kemi bë digjitalizimin e institucionit, mësimdhënësit nuk ka pasë nevojë të qortohen apo t’u tërhiqet vërejtja për përdorim të telefonit në orën mësimore. Për mësimdhënës Udhëzimi e thotë shumë qartë, është një paragraf që s’po më kujtohet për momentin, që mësimdhënësi ka të drejtë ta përdor telefonin vetëm në sallën e arsimtarëve apo edhe telefonin zyrtar të shkollës. Te rasti jonë, të gjitha thirrjet çka i bëjnë prindërit për gjëra të ndryshme përdoret telefoni i shkollës në të gjithë objektin e shkollës”.
Lidhur me zbatimin e këtij Udhëzuesi, KOHA u ka adresuar pyetje Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Prishtinë, Prizrenit, Gjilanit, Pejës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës dhe asaj të Fushë-Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Prindërve të Komunës së Prishtinës, Fisnik Dërguti, ka thënë se ky Udhëzues duhet të zbatohet nga mësimdhënësit dhe nxënësit.
“Natyrisht bëjnë përjashtime vetëm rastet urgjente, e që në fakt do të duhet që prindërit ta kenë një numër emergjent të shkollës ku edhe nxënësit, edhe prindërit të munden të thërrasin. Përdorimi i telefonave ndikon negativisht në mbarëvajtjen e mësimit dhe deri tani kishte raste që nuk është zbatuar në tërësi ky udhëzues”, është shprehur Dërguti.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në muajin janar ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të telefonave në shkolla. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 shkurt dhe për një muaj janë gjobitur 46 mësimdhënës që e kanë vepruar në kundërshtim me këtë dokument.
© KOHA Ditore