Autoritetet në Kosovë nuk kanë mohuar se në tavolinë u është vënë një “non-paper” që mbrëmë e publikoi KOHA, sipas të cilit Kosova dhe Serbia duhet t’ia njohin integritetin territorial dhe sovranitetin njëra-tjetrës, por në kuadër të zgjidhjes të jetë edhe krijimi i një distrikti autonom që përfshin katër komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë. Gjermania e Franca janë distancuar nga autorësia e këtij dokumenti. E analistët kanë rikujtuar se një i tillë, së shpejti, mund t’u vihet në tavolinë palëve
Autoritetet shtetërore nuk e kanë mohuar ekzistencën e një dokumenti që përmban një propozim për zgjidhjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i publikuar të hënën mbrëma nga KOHA.
Ky “non-paper”, që supozohej se ishte përgatitur nga Gjermania dhe Franca, thotë se Kosova dhe Serbia duhet t’ia njohin integritetin territorial dhe sovranitetin njëra-tjetrës, por në kuadër të zgjidhjes parasheh edhe krijimin e një distrikti autonom që përfshin katër komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë; formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe; si dhe status të privilegjuar për Kishën Ortodokse Serbe.
Publicisti Imer Mushkolaj thotë se përmbajtja e letrës është problematike, pavarësisht se në të thuhet se zgjidhja do të mund të gjendet brenda Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, zgjidhja formalisht mund të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës.
“Edhe kjo letër, respektivisht ky propozim, hyn në mesin e atyre që njihen si zgjidhje kreative e që janë vetëm një formë tjetër e të thënit se bëhet fjalë për atë që është diskutuar ndër vite në Kosovë, pra për mundësinë që serbët në Kosovë, respektivisht serbët e veriut të Kosovës, ta kenë një autonomi substanciale me kompetenca në fusha të caktuara, por që do të ishte realisht një shkatërrim i shtetit të Kosovës, një shkatërrim i materies së shtetit të Kosovës”, thotë Mushkolaj. “Edhe ashtu Kosova është një vend jashtëzakonisht i vogël dhe çfarëdo zgjidhjeje tjetër që do të mund të gjendej brenda territorit të Kosovës, por me autonomi në këtë rast për serbët, absolutisht do të ishte një dëm shumë i madh për Kosovën”.
Qeveria ka refuzuar të komentojë mbi përmbajtjen e dokumentit.
“Edhe Ambasada gjermane dhe Ambasada franceze janë deklaruar për këtë dokument duke e demantuar dhe duke u distancuar nga ai. Nuk kemi çfarë t'u shtojmë më shumë deklarimeve të tyre”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.
Në Presidencë, ndërkaq, nuk kanë kthyer përgjigje fare.
Por, mes atyre që kanë reaguar në Serbi ka qenë edhe vetë kreu i shtetit.
“Unë e lexova atë në një e gjysmë të natës së kaluar kur u ktheva nga Brukseli. “Non-paper” u krijua nga dikush që është shumë më i zgjuar, shumë më i zgjuar se unë, shumë më dinak. Shoh që të gjithë e mohojnë, por kjo “non-paper” e fundit më dha më shumë shqetësime sesa e para”, ka thënë Vuçiq. “Një gjë kyç është në atë letër – njohja e pavarësisë së Kosovës, gjë që është e tmerrshme – këtu 90 për qind të gjërave janë më pak të rëndësishme, por më e rëndësishmja shkon për ne”.
Por në Ambasadën e Gjermanisë dhe në atë të Francës e kanë mohuar se shtetet e tyre kanë ofruar një propozim të këtillë.
“Mund të ketë një dokument të tillë, por sigurt nuk është gjermano-francez”, ka shkruar në Twitter ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde. “Përkrahja jonë e plotë është për dialogun e udhëhequr nga BE-ja, të udhëhequr nga EUSR Miroslav Lajcak, ashtu siç e theksoi sërish ministri i Jashtëm gjerman Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”.
Në këtë frymë ka qenë edhe një deklaratë e lëshuar nga Ambasada e Francës në Kosovë.
“Franca dhe Gjermania nuk janë burim i të ashtuquajturit ‘non-paper’ franko-gjerman i botuar sot nga ‘Koha Ditore’. Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e BE-së dhe mirëpresim përpjekjet e ndërmarra në këtë drejtim nga përfaqësuesi special i ngarkuar me dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajcak”, thuhet në deklaratë.
Pavarësisht distancimit të ambasadave, publicisti Imer Mushkolaj thotë se një propozim i këtillë mund t’u vihet palëve në tavolinë.
“Jo domosdoshmërisht nëse nuk je burimi, pajtohesh ose nuk pajtohesh me përmbajtjen. Kështu që unë besoj që ky është një ndër propozimet që mund të vijnë në muajt e ardhshëm, për shkak se shtetet e fuqishme, në këtë rast shtetet e fuqishme të BE-së, mund të jenë propozime të ngjashme që vijnë edhe nga SHBA-ja, hidhen në publik, në radhë të parë edhe për të matur pulsin e palëve, pra reagimet që mund t’i kenë palët e përfshira në këto propozime”, thotë Mushkolaj. “Në anën tjetër, këto janë mesazhe edhe për Qeverinë, në radhë të parë për Qeverinë e Kosovës, por edhe për Qeverinë në Serbi, që mund të vijë një moment kur thjesht një propozim nuk po them se mund të imponohet, por mund të shfaqet ose paraqitet si i tillë dhe palëve u kërkohet të bëjnë ndryshime që mund të mos jenë të rëndësishme, por kozmetike, mbi propozimin që është ofruar”.
Një dokument i kategorisë së njëjtë që është publikuar këtë muaj përmbante propozimin e Sllovenisë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse në Ballkanin Perëndimor, e bazuar në ricaktim të kufijve të të gjitha shteteve. Edhe Lubjana zyrtare qe distancuar nga autorësia.