Projektligji për vlerat e UÇK-së nuk ka kaluar sërish. Në seancën e së enjtes, që është vazhdim i të mëparshmeve, morën pjesë vetëm 37 deputetë në votim.
Edhe më herët ka dështuar të kalojë ky projektligj i propozuar nga PDK-ja.
Në fakt, seanca nisi me përplasje rreth këtij projektligji.
Gazmend Bytyçi nga PDK-ja dhe Time Kadrijaj nga AAK-ja ftuan për votimin e këtij projektligji, duke thënë se UÇK-ja meriton trajtim të mirë të të gjithëve.
Por, Rexhep Selimi, shef i Grupit parlamentar të VV-së, tha se pikërisht këtë po e bën partia e tij, duke mos i dhënë përkrahje.
Po ashtu, edhe Arben Gashi nga LDK-ja tha se me këtë projektligj nuk mbrohen vlerat e UÇK-së.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Bedri Hamza, pas dështimit të Projektligjit për Vlerat e UÇK-së, i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të sigurojë 40 vota në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë.
Ai në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se nëse partia e Albin Kurtit siguron votat e nevojshme për ngritjen e mocionit të mos besimit ndaj Qeverisë, atëherë Partia Demokratike e Kosovës do t’i japë 24 votat e saj për ta çuar Hotin në shtëpi.
Hamza ka kërkuar edhe nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani që t’i bashkëngjitet këtij mocioni.
“E ftoj Qeverinë e Kosovës të jep dorëheqje, sepse është shndërruar në pengesë për adresimin e sfidave dhe nevojave të cilat i ka vendi. Gjithashtu, ftoj edhe Grupin parlamentare të VV, pasi që kanë dhënë një mocion që të punojnë në drejtim të këtij mocioni, t’i bëjnë 40 vota. Edhe kryetarja e Kuvendit nëse është duke shpreh pakënaqësi t’i bashkëngjitet këtij mocioni, të sillet në Kuvend dhe në momentin kur bëhen 40 vota dhe krijohen kushtet për me u hedhë në votim ky mocion, Partia Demokratike e Kosovës do të jep 24 vota për. Dhe atëherë krijohen kushtet që vendi të shkoj në zgjedhje”, tha Hamza.