Arbëri

Nuk do të lejohet në kufi transporti i organizuar i votuesve pa u pajisur paraprakisht me leje

Në Ministrinë e Infrastrukturës treguan se deri tash nuk është kërkuar asnjë leje për të organizuar transport të votuesve në Kosovë. E në Polici treguan se vetëm autobusët që posedojnë autorizim për linjat apo që shkojnë përmes rregullave të INTER BUS do të mund të hyjnë në Kosovë këtë të diele, kur organizohen zgjedhjet nacionale

Institucionet nuk do të lejojnë që ditën e zgjedhjeve të hyjnë në Kosovë autobusë që transportojnë votues të organizuar pa u pajisur paraprakisht me leje. Në Ministrinë e Infrastrukturës treguan se deri tash nuk është kërkuar asnjë leje për të organizuar transport të tillë. Të vetmet që do mund të hyjnë në Kosovë, sipas Ministrisë, janë ato që përmbushin kushtet ndërkombëtare INTER-BUS, si dhe linjat e rregullta. 

“Kompanitë të cilat vijnë për ditën e zgjedhjeve janë të obliguara t’i respektojnë oraret të cilat i kanë, gjë për të cilën do të duhej të kujdeseshin Policia Kufitare dhe Inspektorati. Nëse kompanitë e transportit të udhëtarëve duan të vijnë në Kosovë, duhet të kenë librin e INTER BUS, numrin e udhëtarëve që duhet të jetë i njëjtë në ardhje dhe kthim. Po ashtu, kompanitë që vijnë në Kosovë duhet t’i kenë të rezervuara hotelet/vendet e qëndrimit për pasagjerë, në të kundërtën nuk do të duhej të lejoheshin të hynin në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

E në Polici treguan se vetëm autobusët që posedojnë autorizim për linjat do të mund të hyjnë në Kosovë këtë të diele, kur organizohen zgjedhjet nacionale.

“Autoritet kompetent për trajtimin e shkresës është Ministria e Transportit. Policia vepron në bazë të autorizimeve të linjave që pranon nga këta të fundit”, shkruhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës. 
Shqetësimin për mundësinë e organizimit të votuesve në Serbi dhe transportimin e tyre për në Kosovë nga Lista Serbe dhe Qeveria e Serbisë e kanë shprehur përfaqësues të disa subjekteve politike serbe në Kosovë. Ata kanë kërkuar nga institucionet që të mos e lejojnë këtë.

“Jam duke u bërë merak, se do të ketë autobusë me njerëz prej Serbisë që vijnë për të votuar këtu në Kosovë, që i përgatisin atje në Serbi për të ardhur në Kosovë. Të drejtën t’ju them, nuk do të kisha dashur që kjo të ndodhte. Nuk do të duhej të ishte ashtu, do të duhej të ishte garë zgjedhore e ndershme... Janë të varfër dhe jetojnë në mjerim... Shpresoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë që ata njerëz të mos i sjellin këtu. S’ka nevojë të vijnë këtu, sepse atyre kjo jeta jonë në këtë vend nuk u intereson fare”, tha Nenad Radosavleviq, kandidat i iniciativës qytetare “Drejtësia Popullore” (Gradjanska Inicijativa “Narodna Pravda”) të mërkurën.