Arbëri

Nrecaj: Kuvendi i Prishtinës t’i thotë jo vënies në diskutim publik të PZHK-së që u bë pa llogaridhënie e transparencë

Komuna e Prishtinës

Drejtoresha e organizatës INPO, Albulena Nrecaj, ka thënë se në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, që do të mbahet të enjten, nuk po synohet të miratohet Plani Zhvillimor Komunal, siç është thënë, por po kërkohet dritë e gjelbër nga Kuvendi që ky dokument të dalë në diskutim publik.

Ajo ka thënë se nën udhëheqjen e kryetarit Përparim Rama, politikat komunale të rëndomta dhe çështjet e zakonshme janë shndërruar në çështje që shqyrtohen dhe miratohen në seanca të jashtëzakonshme. 

“Për ngut, pa transparencë, pa llogaridhënie dhe jo për interes të përgjithshëm të qytetarëve.  Mbledhja e nesërme e jashtëzakonshme nuk synon të miratojë Planin Zhvillimor Komunal (PZhK), siç po aludohet, por kërkon dritën e gjelbër nga Kuvendi qe ky dokument të dalë në diskutim publik”, ka shkruar ajo në Facebook. 

Nrecaj ka shtuar se deri në këtë fazë të hartimit të këtij dokumenti nuk ka pasur transparence, llogaridhënie, përfshirje të qytetarëve dhe grupeve të interesit në hartim të dokumentit dhe as nuk është prezantuar ndonjëherë ndonjë vizion i kryetarit për Prishtinën e 10 viteve të ardhshme.

“Anëtarët e kuvendit që nesër do të vendosin me votën e tyre, nëse ky dokument meriton të dalë në diskutim publik, a kanë arritur së paku ta lexojnë dokumentin, se lëre më ta analizojnë se a përkon me interesin qytetar dhe a premton zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm për Prishtinën ky dokument”, ka thënë tutje Nrecaj. 

Në pikën e fundit të këtij shkrimi, ajo ka vlerësuar se Kuvendi komunal duhet ta kundërshtojë vënien në diskutim publik të këtij dokumenti që, sipas saj, është bërë pa transparencë, pa llogaridhënie e pa gjithëpërfshirje në hartim të tij. 

“Sepse diskutimi publik pas kësaj mbledhje është vetëm një teknikalitet e formalitet, që mundëson dhe legjitimon miratimin e tij, nëse veç tashme janë blere votat në Kuvend”, ka theksuar ajo.