Arbëri

Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi shihet kyç për stabilitetin në rajon

“U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të implementojnë marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e tij, si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, theksohet në pjesën e draftit të tekstit të deklaratës që është përpiluar për t’u miratuar në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian me ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 13 dhjetor në Bruksel

Presidentja Vjosa Osmani pritet që ta përfaqësojë Kosovën në samitin e përbashkët të liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili do të zhvillohet të mërkurën e 13 dhjetorit në Bruksel.

Sipas burimeve diplomatike në BE, në këtë samit nuk do të marrë pjesë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, porse do të jetë kryeministrja, Ana Bërnabiq, ajo që do ta përfaqësojë Serbinë.

Serbia ndodhet në proces parazgjedhor për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që janë shpallur për 17 dhjetor.

Burime nga Bashkimi Evropian kanë thënë se pikërisht raportet midis Kosovës dhe Serbisë po shihen si çështje kyçe për stabilitetin afatgjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo edhe është përfshirë në një draft të konkluzave, i cili është përgatitur për t’u miratuar në samit.

Në tekstin e draftit të deklaratës, qasje në të cilën ka pasur KOHA, është thënë se vazhdohet të mbështetet përpjekja e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell si dhe të përfaqësuesit të posaçëm për dialog midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, sikurse edhe se pritet një angazhim konstruktiv nga të dy palët për të arritur progres të shpejtë në normalizimin e raporteve mes tyre, gjë kjo që është kyç për stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për avancimin e tyre në rrugëtimin përkatës evropian.

“U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të implementojnë marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e tij si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, theksohet në pjesën e draftit të tekstit të deklaratës që është përpiluar për t’u miratuar në samit.

Me këtë deklaratë po ashtu do t’u bëhet ftesë të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura midis tyre, në mënyrë që ta dëshmojnë përkushtimin për integrimin në Bashkimin Evropian.

E BE-ja pritet që ta përsërisë përkushtimin e saj për të ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit në përballjen me shumë sfida, përfshirë edhe atë me kriza energjetike dhe të tjera që janë prodhuar si rezultat i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Krahas kësaj, do të përshëndeten gjithashtu vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe që janë përshtatur në tërësi me qëndrimet e Bashkimit Evropian në politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, si dhe do të ftohen ato vende që nuk e kanë bërë një gjë të tillë që sa më parë të përshtaten.

Kjo thirrje ka të bëjë, para së gjithash, me Serbinë e cila vazhdon të jetë i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që nuk i mbështet sanksionet ndaj Rusisë. Po ashtu, pritet që Bashkimi Evropian, edhe nëpërmjet kësaj deklarate, të përsëris përkushtimin e pa rezervë për të integruar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor si anëtare në BE, por që kjo do të varet nga meritat individuale në procesin e reformave dhe në përmbushjen e kritereve të nevojshme.

Samiti midis liderëve të BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet më 13 dhjetor, vetëm një ditë para se në Bruksel të fillojë edhe samiti dyditor i Këshillit Evropian, në të cilin zgjerimi i BE-së po ashtu do të jetë një prej temave kryesore.