Arbëri

Nobelisti Shechtman: Fëmijët në kopsht duhet të mësojnë për shkencën

Për të arritur zhvillimin ekonomik, laureati i çmimit “Nobel” për kimi, Dan Shechtman, ka rekomanduar që shteti të hartojë politika në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, në mënyrë që nataliteti të mos bjerë

Qëndrueshmëria ekonomike e një shteti varet nga investimi në bizneset në fushën e teknologjisë, si dhe nga nxitja e edukimit të fëmijëve për rëndësinë e shkencës, ka thënë fituesi i çmimit “Nobel” në kimi, Dan Shechtman, i cili ka marrë pjesë të enjten në një panel diskutimi në Bibliotekën Kombëtare, të organizuar nga Ambasada izraelite dhe Shoqata Austriako-Kosovare.

Nobelisti nga Izraeli ka thënë se investimi në themelimin e bizneseve në fushën e teknologjisë e ul varfërinë, e rrit punësimin, si dhe e promovon shtetin.

“Bizneset në teknologji e promovojnë shtetin, prandaj është e rëndësishme. Themelimi i bizneseve në fushën e teknologjisë kërkon edhe zhvillimin e shkathtësive njerëzore. Kosova eksporton minerale të metalit si një nga burimet e eksportit, unë them se një nga burimet e shtetit është zhvillimi i shkathtësive te njerëzit. Minerale të metalit mund të zhduken, por zhvillimi i shkathtësive bartet nga gjenerata në gjeneratë”, ka thënë ai, duke theksuar se Izraeli ndan çdo vit 500 milionë euro për t’i mbështetur këto lloj biznesesh. “Për çdo dollar që qeveria investon në start-up, fiton 5 dollarë”, ka shtuar ai.

Për të arritur zhvillimin ekonomik, nobelisti Shechtman ka rekomanduar që shteti të hartojë politika në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, në mënyrë që nataliteti të mos bjerë.

“Tani në Kosovë mesatarja është dy fëmijë për një nënë. Kjo mesatare tregon se vendi ka filluar të zvogëlohet, dhe nëse ky është ritmi, ju kisha rekomanduar ta ndaloni, duhet të qëndroni të paktën në këtë mesatare. Por situata sa i përket rinisë është e mirë, si këtu, si në Izrael. Përderisa kemi më shumë rini që ka mundësi të mbajë gjeneratën e vjetër, dhe kjo është një mënyrë për të zhvilluar ekonominë e vendit”, ka thënë ai.

Si një prej pengesave për zhvillim, Shechtman ka numëruar korrupsionin, ndërkaq ka shtuar se ndryshimet duhet të fillojnë me reformat në edukim. Ai ka thënë se edukimi në sipërmarrësi duhet të përfshihet qysh në adoleshencë.

“Për sipërmarrësi duhet t’i mësoni qysh në shkollë të mesme, pastaj edhe në universitete. Mundësitë që ua ofron sipërmarrësia duhet të informohen të rinjtë, pasi ua përmirëson dukshëm mirëqenien, e kjo direkt ndikon në rritjen dhe zhvillimin e vendit”, ka thënë Shechtman.

E në fëmijërinë e hershme, ai ka theksuar se është e rëndësishme që të mësohet mbi shkencat natyrore.

“Ata bëhen më të logjikshëm, më kritikë, pasi ua hap horizontin dhe ua shton kureshtjen. Për kësi njerëzish ka nevojë shteti për t’u zhvilluar ekonomikisht”, ka thënë Shechtman, teksa ka vlerësuar se kjo mund të zbatohet lehtë po qe se ekziston vullneti i institucioneve. “Mundeni të merrni fillimisht një çerdhe dhe të merrni një edukatore që t'i mësojë fëmijët për shkencën, gjëra bazike. Krejt çka duhet të bëni është të krijoni një laborator të vogël që është i mjaftueshëm për t'i mësuar për lëndë të ndryshme shkencore. Mund ta bëni, kërkoni ndihmë nga universiteti, nëse punoni bashkë, nëse ministrja me disa profesorë vendosë ta bëjë këtë, mund të bëhet. S'është e komplikuar”, ka shtuar nobelisti.

E ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është duke u analizuar përfshirja e lëndëve shkencore në edukimin e hershëm.

“Kjo fushë për ne është e rëndësishme, prandaj dhe ne çdo vit ndajmë bursa për vajzat që t'i inkurajojmë të inkuadrohen në fushat e teknologjisë e shkencave natyrore. Ne gjithashtu e kemi bërë që nga viti e ardhshëm nivelin parafillor të obligueshëm. Po ashtu, e kuptojmë nevojën që fëmijët të mësojnë për shkencën në moshën e hershme, dhe këtë kemi filluar ta trajtojmë si çështje që shumë shpejt të fillojë në edukimin parashkollor”, ka thënë Nagavci.

Përkushtim për ta ndihmuar Kosovën në zhvillimin e arsimit dhe sipërmarrësisë ka shprehur ambasadorja izraelite në Kosovë, Tamar Ziv.

“Gjersa kremtojmë arritjet e profesor Shechtman sot, na kujtohet fuqia e arsimit dhe sipërmarrjes për të nxitur përparimin dhe inovacionin. Izraeli dhe Kosova ndajnë një përkushtim të thellë ndaj këtyre vlerave dhe jam e bindur se partneriteti ynë i vazhdueshëm do të ndihmojë në zhbllokimin e potencialit të plotë të popullit tonë dhe ekonomive tona, veçanërisht duke pasur parasysh rininë e madhe të Kosovës, të gjallë dhe me njohuri teknologjike”, ka thënë ajo.

Në panelin e diskutimit, përfaqësues izraelitë kanë shprehur qëndrimin se Qeveria duhet të hartojë politika që ndihmojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, në mënyrë që të mundësohet kthimi i shkencëtarëve migrues për të kontribuar në vend.