Arbëri

Njohësit shtrojnë nevojën për qeveri stabile

Kosovës i duhet një qeveri stabile dhe e fuqishme në numra për t’u bërë ballë sfidave të brendshme dhe të jashtme, kanë thënë njohës të zhvillimeve. Me gjithë polarizimet politike që vazhduan edhe pas zgjedhjeve, ata thonë se me shpalljen e rezultateve finale, partitë do t’i heqin vijat e kuqe për koalicion.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat u vlerësuan të rregullta nga vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë, Kosova po hyn drejt një sfide të re institucionale. Rezultati zgjedhor tregon se Vetëvendosja është partia fituese, por nuk ka siguruar vota mjaftueshëm sa ta krijojë e vetme qeverinë si para katër vjetëve.

Ky rezultat, por edhe polarizimi politik, e bëjnë procesin e konstituimit të institucioneve vështirë të parashikueshëm, kanë thënë njohës politikë.

Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se rezultati zgjedhor nuk prodhoi fitues të ndonjërit prej dy kampeve politike.

“Po pikërisht, bazuar në një gjendje çfarë kemi të pat pozicioneve dhe bazuar në rezultate ose në përqindjen e rezultateve që nuk janë definitive fatkeqësisht, po është për t'u brengosur, sepse votuesi kësaj radhe ka dashur të japë porosi për të mos thënë edhe leksion të gjitha subjekteve politike pozitë e opozitë, pa dallim, që nuk kanë vepruar mirë, qoftë pozita në qeverisje, qoftë opozita në të bërit opozitarizëm”, ka thënë Baraliu.

E, analisti Arbnor Sadiku, ka vlerësuar se Vetëvendosja ka disa opsione për formimin e qeverisë, pavarësisht diskursit dhe përplasjeve të saj dhe partive në opozitë.

“Qëllimi i tyre politik është që fillimisht të bëhet qeveria me numrin e deputetëve potencial të Lëvizjes Vetëvendosje. Por nëse ai numër nuk del, është ai varianti i peshkimit si opsion i mundshëm që të arrihet numri prej 61 e votave. Por në rast se nuk do të ketë, unë mendoj që në bazë të situatës që e kam lexuar përbrenda Lëvizjes Vetëvendosje madje edhe nga akterë goxha të rëndësishëm që janë në të, ata nuk e mohojnë as pohojnë një koalicion të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kurse për PDK-në dhe AAK-në të dyert janë pothuajse të mbyllura”, ka thënë Sadiku.

Por Lulzim Veliu ka thënë se me rezultatin aktual, asnjëri tabor nuk do të mund të krijojë një qeveri të qëndrueshme.

“Në këtë mënyrë do të kemi një qeveri të minorancës, në një farë mënyre, e cila do të përballet me problematika menjëherë pas një viti, në kohën kur në Kosovë kemi zgjedhjen e presidentit të ri. Polarizimi gjatë fushatës mendoj se ka pasur një rol, në mos afrimin apo edhe në mosdeklarimet për një koalicion të forcave të tjera me Lëvizjen Vetëvendosje apo deklarimin e tyre kundër një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje”, është shprehur Veliu.

Sipas njohësve, faktorët e jashtëm si presioni i BE-së dhe SHBA-së për implementimin e marrëveshjeve të dialogut, sfidat e sigurisë, si dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, imponojnë një qeveri stabile.