Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se pas prishjes së marrëdhënieve të presidentes Vjosa Osmani dhe ministres së Jashtme Donika Gërvalla, roli i Listës Guxo është zbehur tej mase. Sipas tyre, Gërvalla është rreshtuar kah kryeministri Albin Kurti për të siguruar një post politik nga zgjedhjet e ardhshme
Prishja e raporteve mes presidentes Vjosa Osmani, dikur udhëheqëse e Listës Guxo dhe ministres së Jashtme Donika Gërvalla, që tani drejton këtë parti, është bërë për interesa të ngushta politike, vlerësojnë njohës të rrethanave politike.
Ata thonë se dallimet mes tyre kanë nisur pasi ministrja Gërvalla u rreshtua në përkrahje të qëndrimeve të kryeministrit Albin Kurti në raport me bashkësinë ndërkombëtare, më shumë sesa me ato të presidentes Osmani.
Arbnor Sadiku, analist politik, ka thënë se këtë krisje të raporteve e ka nisur Gërvalla pas kalkulimeve sipas tij, se në zgjedhjet e ardhshme nuk ka më interesa politike nga Osmani.
“Zonja Osmani nuk ka perspektivë në zgjedhjet e ardhshme politike, atëherë zonja Gërvalla e ka shfrytëzuar këtë politikisht për të qenë më afër me Albin Kurtin për të synuar një pozitë së pari të deputetes ndoshta përmes saj edhe të mbajtjes së ndonjë prej posteve ministrore në qeverinë e ardhshme që mund ta formojë Lëvizja Vetëvendosje pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare”, ka thënë Sadiku.
Në linjë me të është shprehur edhe analisti tjetër politik, Fidan Ukaj. Ai ka deklaruar se Lista Guxo është rreshtuar kah Vetëvendosja me qëllimin për një koalicion tjetër në zgjedhjet e ardhshme.
“Këtë prishje e raporteve me presidenten Osmani, mendoj se zonja Gërvalla e sheh më shumë si një interes që tani më nuk e ka nga zonja Osmani dhe në anën tjetër sigurisht se sheh interesa politike me kryeministrin Kurti. Tani është e qartë që kjo lëvizje që drejtohet nga zonja Gërvalla është rreshtuar me kryeministrin, veprimet e kryeministrit”, ka thënë Ukaj.
Megjithatë, analisti Sadiku vlerëson se prishja e marrëdhënieve mes Osmanit dhe Gërvallës e ka zbehur në maksimum rolin e anëtarëve të Listës Guxo dhe se prania e tyre nuk do të qojë peshë në ndonjë prej koalicioneve para apo pas zgjedhore.
“Mendoj që kjo është histori e mbyllur dhe pothuajse ka një rol minimal në zgjedhjet e ardhshme nacionale andaj dhe për këtë fakt mendoj që zonja Gërvalla të shkojë të themi kah Albin Kurti e të ndahet me zonjën Osmani”, ka shtuar Sadiku.
Disa ditë më parë Osmani e Gërvalla thumbuan njëra-tjetrën, me tekste këngësh ku u këndohej mashtruesve.
Për raportet mes tyre dhe ndikimin që do ta kenë në koalicionin aktual LVV-Guxo, KOHA ka dërguar pyetje në Presidencë, Ministri të Punëve të Jashtme dhe në Qeveri, por nuk ka marrë përgjigje.