Kryeministri i Kosovës është optimist për liberalizim vizash, sepse Kosova moti i ka plotësuar kushtet, përderisa “imazhi i Kosovës nuk është më ai i para dy vjetëve”. S’ka përmendur datë, sepse kjo ka thënë se është punë e BE-së. Por njohësit e kësaj çështjeje përmendin disa arsye për shenja pozitive për liberalizim. E dy prej tyre lidhen me Francën
Sinjalet pozitive drejt heqjes së vizave për kosovarët janë shtuar ditëve të fundit. Mbajtja e Samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor gjatë javës së ardhshme ka shtuar zërat se Kosovës mund t’i ofrohet mbështetje për liberalizim.
Por datë për një gjë të tillë nuk ka pranuar të japë kryeministri Albin Kurti, duke thënë se ky proces nuk i takon më Kosovës. Kurti, në një konferencë për media të shtunën, megjithatë, ka marrë një pjesë të meritave për diskutimet e bëra së fundi. Sipas tij, gjatë qeverisjes së tij të deritanishme, e që në mars ka mbushur vitin e parë, është bërë punë në drejtim të heqjes së vizave.
“Gjithmonë është theksuar problemi me imazhin e Kosovës, e tash gjatë këtij më shumë se një viti, edhe aty kemi punuar shumë dhe organizatat prestigjioze ndërkombëtare kanë dëshmuar se imazhi i Kosovës nuk është më ai i para dy vjetëve, dhe unë shpresoj që kjo do të reflektohet në qëndrimet dhe vendimet e tyre, mirëpo nuk mund të flas në emër të tyre. Unë nuk mund të flas me data se kur mund të liberalizohen vizat, në këtë samit apo në atë konferencë, sepse nuk është çështje e jona”, ka thënë Kurti, duke shtuar se zhvillimet e tilla do të duhej të merreshin parasysh nga Bashkimi Evropian.
“Imazhi i Kosovës në masë të konsiderueshme është rregulluar dhe kjo do duhej të reflektohej edhe në qëndrimet e vendimet që i merr BE-ja për ne, përkatësisht vendet e BE-së. Ne moti i kemi plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, 95 sosh, që është më shumë sesa dyfishi i shteteve të tjera të rajonit sa i përket numrit të kritereve”, ka thënë ai, duke shtuar se shpresojnë për më të mirën.
“Ne po i bëjmë me krejt çfarë dimë e mundemi më së miri detyrat tona të shtëpisë që janë edhe detyra evropiane, ne ato po i bëjmë dhe e shpresojmë më të mirën, mirëpo nuk mund të flasim në emër të tyre. As para zgjedhjeve, as në fushatë zgjedhore, as kur jam bërë kryeministër, ju nuk më keni dëgjuar mua duke dhënë data për liberalizim vizave”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, sipas korrespodentit të KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ngritja e heqjes së vizave për kosovarët në nivelet më të larta, përfundimi i zgjedhjeve në Francë, e adresimi i shqetësimeve të autoriteteve franceze, janë arsyet që kanë bërë të rritet optimizmi në Bruksel.
“Gjithsesi ka një optimizëm të rritur në Bruksel, dhe janë tri arsyeje për këtë: E para është, se çështja e liberalizmit të vizave për Kosovën është ngritur në nivelin më të lartë, po e përmend kancelari gjerman, e ka përmendur presidenti i Këshillit Evropian, e ka përmendur presidentja e Parlamentit Evropian, kryeministri i Kroacisë, kryeministri i Sllovenisë dhe shumë liderë të tjerë”, ka thënë ai. Në anën tjetër, sipas tij, Franca të dielën do të ketë rundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare, dhe me këtë do të hiqet edhe një pengesë që ka mundur të jetë për shkak të rrethanave të brendshme në Francë.
“Dhe arsyeja e tretë është se diplomatë thonë se Kosova në takimet direkte me autoritetet e Francës, më saktësisht në nivel të ministrive të punëve të brendshme, i ka sqaruar disa çështje dhe ka ndihmuar që Franca të adresojë shqetësimet që ka pasur”, ka thënë Palokaj. “Është një momentum i ri për liberalizimin e vizave. Gjasat janë më të mëdha sesa që kanë qenë më parë, mirëpo nuk duhet krijuar eufori se kosovarët janë mësuar që të dëshpërohen, por kësaj radhe gjasat vërtet janë më të mëdha sesa që kanë qenë më parë”, ka thënë korrespodenti i KOHËS.
Në anën tjetër, Arton Demhasaj ka thënë se me lëvizjet pozitive nga Franca drejt përkrahjes së heqjes së vizave, gjasat janë maksimale që të merret vendim në favor të Kosovës.
“Pengesë nuk ka. Mendoj që vetëm vendimi mund të merret tash e pastaj mund të hyjë në fuqi diku në fund të këtij viti. Pra, potencialisht në dhjetor, kur janë festat e fundvitit, ose në janar, sepse kështu ka shkuar edhe te vendet e tjera”, ka thënë Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, në një deklaratë për “Ekonomia Online”.
Megjithëkëtë, sipas Demhasajt, deri në lëvizjen pa viza të qytetarëve duhet përmbushur edhe disa kushte të tjera që lidhen kryesisht me çështjet e migrimit. Por, kushtet e tilla, sipas tij, nuk pritet të jenë problem për Kosovën, ndonëse shteti duhet të punojë që t’i informojë sa më drejt qytetarët për liritë dhe kufizimet që kanë me t’u liberalizuar vizat.
“Nuk besoj për shkak se edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia edhe Mali i Zi, kur e kanë marrë liberalizimin e vizave në fillim ka pasur një tendencë të shtuar të emigrimit dhe ka pasur kërcënime nga ana e BE-së që mund të rikthehet regjimi i vizave nëse vazhdohet me këtë. Po, pastaj shteti duhet të punojë që t’i informojë qytetarët që nuk mund të kërkojnë migrim duke u bazuar tek liberalizimi i vizave. Mendoj që nuk ka me pasë ndëshkim në këtë aspekt”, ka thënë ai.
Të premten, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se liberalizimi i vizave është afër. Por, përkundër kësaj, ai ka hezituar të japë një datë për këtë.
“Ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave, dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme evropiane, ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë, por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, ka theksuar Lajçak në një intervistë për “Euronews Albania”.
Përkundër konfirmimit të vazhdueshëm nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e thirrjeve të Parlamentit Evropian për heqjen e vizave, vendimi ka ngecur te shtetet anëtare në Këshillin e BE-së. Më skeptike nga të gjitha shtetet anëtare, për heqjen e vizave për Kosovën, ka qenë Franca.