Nga xhamitë e ka nisur luftën kundër narkotikëve, shefi i Task-Forcës Antidrogë, Avdullah Hasani.
Pas një takimi këtë javë me krye-imamin Naim Tërnava, xhamitë janë instruktuar që ligjërata e së premtes t’i kushtohet vetëdijesimit për luftimin e dukurisë.
Imam i xhamisë “4 Llullat” në kryeqytet, Husamedin Abazi, thotë që është më se e nevojshme që rinia të këshillohet në mënyra të ndryshme.
Pjesëmarrësit në lutjet e së premtes e përkrahin këtë iniciativë dhe shpresojnë që mesazhi të mbërrijë te konsumuesit e narkotikëve.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, Avdullah Hasani, shef i Task-Forcës Antidrogë, ka thënë për KTV-në se fushatës shtetërore kundër përdorimit të narkotikëve, po i bashkëngjiten të gjitha palët me influencë te qytetarët, e në këtë rast edhe imamët nëpër xhamia.
“Të gjitha palëve me influencë te qytetarët, u kam kërkuar që t’i bashkëngjiten fushatës shtetërore kundër përdorimit të narkotikëve dhe fushatës së sigurisë në shkolla. Në takim me myftiun, me propozimin e tij, ai ka konsultuar krye-imamin Sabri Bajgora dhe ka nxjerrë vendim që në vazhdën e ligjëratave që ata i mbajnë, në këtë të premte të flasin në mënyrë të njësuar kundër përdorimit të narkotikëve dhe dukurive tjera narkotike. Qëllimi është sensibilizimi i opinionit kundër përdorimit të narkotikëve dhe alarmimi mbi pasojat, veç tjerash, edhe sociale që përdorimi i narkotikëve sjell”, ka thënë Avdullah Hasani, shef i Task-Forcës Antidrogë.
Hasani, që mes tjerash kishte bërë një foto-montazh duke pretenduar takim me ish-presidentin amerikan, Barack Obama, është emëruar në këtë pozitë nga kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.