Në seancën për gjykimin e gjashtë serbëve të dyshuar si pjesëmarrës në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, trupit gjykues iu desh të merrej edhe me avokatët mbrojtës. Njërit i shqiptoi gjobë e tjetrit vërejtje. Po ashtu, një i akuzuar tërhoqi deklaratën e dhënë një ditë më parë, të mërkurën
Një seancë gjyqësore e pazakontë u mbajt të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e Prokurorisë Speciale ndaj Marko Roshiqit, Nedelkjo Spasojeviqit, Dragisha Markoviqit, Zharko Jovanoviqit, Silvana Arsoviqit dhe Rade Basaras, të akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Në nismë të seancës, trupi gjykues u mor me avokatët.
Avokatit të Arsoviqit, Musa Damati, iu shqiptua vërejtje për vonesë në seancë, e avokatit të Markoviqit, Dejan Vasiq, gjobë.
“I shqiptohet dënimi avokatit Dejan Vasiq, në vlerë prej 350 euro”, ka thënë kryetari i Trupit gjykues, Valon Kurtaj.
Vasiqi mori gjobën pasi në seancën e së mërkurës dërgoi një praktikant në vend të tij, për çka ajo u ndërpre pas një kohe.
Pasi gjyqtari Kurtaj përfundoi punën me avokatët, radha ishte e të akuzuarit Basara të vazhdojë me dhënien e mbrojtjes. Mirëpo ai u mbrojt në heshtje e po ashtu kërkoi që edhe pjesa e deklaratës e dhënë të mërkurën të mos merrej parasysh.
E avokati i Besaras, Tomë Gashi, u shpreh se deklarata e së mërkurës është e pavlefshme, pasi, sipas tij, nuk ishin përmbushur kushtet për seancë. Përmendi edhe paraqitjen e praktikantit.
“Për shkak të situatës që është krijuar me dërgimin e praktikantit nga avokati Dejan Vasiq, atëherë deklarata e djeshme është deklaratë ‘nule’, nuk është e vlefshme fare dhe duhet të hiqet nga shkresat e lëndës. Por mbetet pranë të gjitha deklaratave të tjera edhe në hetime edhe ato të mëparshme, përveç deklaratës së djeshme”, ka thënë Gashi.
Trupi gjykues me aktvendim, ka anuluar deklaratën e Besaras të dhënë të mërkurën.
Ndërkohë, prokurori Burim Çerkini ka dhënë vërejtje për ecurinë e gjithë seancës.
“Ky shqyrtim gjyqësor, këto seanca po na përcjellin me ndodhi që nuk ndodhin në parim në shqyrtime gjyqësore. Sidomos prej neve që konsiderohemi profesionistë. Vjen praktikanti, shtyhet seanca, ndodhë gjithçka”, ka deklaruar Çerkini.
Politikani Oliver Ivanoviq, është vrarë me armë zjarri më 16 janar 2018, para zyrave të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.
Gjashtë të akuzuarit, Prokuroria i mban përgjegjës për pjesëmarrje në vrasjen e tij.
Gjithashtu, për këtë rast në arrati janë Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq, Milan Radoiçiq dhe dy të pandehur të tjerë të panjohur.